Berat, debatet prej pesë vitesh lënë spitalin pa emër
BERAT - Spitali i Beratit mbetet ende anonim për sa i përket emërtimit të tij. Prej pesë vitesh në bashkinë e këtij qyteti janë lakuar emra mjekësh e intelektualësh të njohur të këtij qyteti, por nuk është gjetur konsensusi për një emër të vetëm. Kjo ka bërë që spitali i Beratit të mos ketë ende një emër, ndonëse mjekët që kanë disa dekada që punojnë në të, kanë dhënë propozime me emra konkretë. Sipas përgjegjësit të Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun pranë bashkisë, Kadri Kuka, të paktën prej 5 vitesh e emri i spitalit rajonal ka krijuar një ngërç dhe debat në këtë institucion. Edhe pse janë propozuar emra të njohur mjekësh, me një karrierë të larmishme në sferën e shëndetësisë, ndërhyrjet e familjarëve dhe debatet kanë bërë që spitali i Beratit, ndryshe nga spitalet e rretheve të tjera, të mos identifikohet si ata. Mësohet se emrat e propozuar nga bashkia janë ai i dr.Maksut Dërrasa, Hajdar Sulës, Dhimitër Kajanës dhe Lluk Muços. "Emri i Maksut Dërrasës është propozuar nga mjekët e spitalit, ndërsa tre mjekët e tjerë janë propozuar nga shoqëria civile dhe familjarët e tyre", u shpreh Kuka. Të katër këta emra janë përcjellë në Këshillin Bashkiak për t'u aprovuar. Por këtu ka nisur edhe zanafilla e sherrit ndërmjet këshilltarëve, familjarëve si dhe qytetarëve të interesuar. Kjo ka bërë që pas shumë debatesh, bashkia të mos miratojë asnjërin prej emrave të propozuar. Mjekët e Beratit shprehen se spitali duhet të mbajë emrin e një mjeku që ia ka kushtuar karrierën gjatë gjithë jetës së tij shëndetësisë, që ka shpëtuar mijëra jetë njerëzish. "Spitali nuk është privat që pronari të vërë emrin sipas preferencave të tij", shprehen mjekët e spitalit të Beratit. Sipas tyre, bashkia nuk duhet të struket përballë presioneve dhe kërkesave të familjarëve, por të zbatojë ligjet që shërbejnë për të vepruar në këtë rast. Mjeku kirurg, Eduart Bejko, u shpreh se "mendimi im si mjek është që spitali të mbajë emrin e kirurgut Maksut Dërrasa, i cili ka shpëtuar mijëra jetë njerëzish". Sipas burimeve, kirurgu Maksut Dërrasa ka kryer 250 mijë operacione. është dekoruar me shumë medalje e dekorata për shërbime të shquara në fushën e mjekësisë. Këshilli Bashkiak i Beratit i ka dhënë titullin e lartë "Qytetar Nderi". Për këto merita kolegët e tij kirurgë japin mendimin e tyre që spitali të ketë emrin "Maksut Dërrasa". Prej katër vitesh ai nuk jeton më, ndonëse në Berat, por edhe në Tiranë, ku së fundmi shërbeu si kryekirurg në Spitalin Ushtarak, ai punoi me profesionalizëm e devotshmëri. d.xh