Kosovarët “pushtojnë” edhe Vlorën
VLORE/ QEMAL BIRAKU
Plazhet e bregdetit të Vlorës pushtohen nga pushues të shumtë nga Kosova e Maqedonia. Ende pa nisur mirë fluksi i pushimeve disaditore, shqiptarë e të huaj nga vendet përreth kanë udhëtuar për qindra kilometra drejt jugut të Shqipërisë. Hapja e tunelit ka qenë favorizues për shumë kosovarë, të cilët nuk janë ndalur që të shijojnë qoftë dhe një fundjavë pranë Adriatikut e Jonit, nga Vlora deri në Sarandë. Ujë e rërë e pastër, hotele me kushte të mira akomodimi dhe çmime që nuk kanë ndryshuar. Kjo është atmosfera që të ofrohet aktualisht në plazhet e Vlorës. Vetë pushuesit që ndodheshin këtë fundjavë në qytetin bregdetar thonë se ka ende probleme me pastërtinë në disa zona, ndërsa ankohen për infrastrukturën rrugore, duke filluar me rrugën nacionale Fier-Vlorë për të vazhduar në rrugët e brendshme të qytetit. Pushues nga Kosova janë shprehur se kanë zgjedhur Vlorën për të kaluar këto ditë, sepse sipas tyre është bregdeti më i mirë, me plazhe të mrekullueshëm. Sali Ago thotë se ka ardhur bashkë me familjen dhe shprehet i kënaqur me kushtet që ka gjetur në Vlorë. "Do të vijmë çdo vit për të pushuar në bregdetin e Vlorës deri në Sarandë, sepse udhëtimi tashmë për në Shqipëri është shumë i shkurtër dhe shumë komod me hapjen e tunelit. Një rrugë e mrekullueshme dhe shumë e shkurtër aq sa mund të vish në Vlorë, të pushosh disa orë dhe të rikthehesh përsëri në Kosovë brenda ditës", thotë turisti. Një çift maqedonas shprehet se është viti i dytë që po pushon në bregdetin e Vlorës dhe se është i kënaqur me pastërtinë e detit, qetësinë, akomodimin dhe mikpritjen që i bëjnë shqiptarët. "Këtë vit kemi marrë me vete dhe disa çifte të tjerë dhe po pushojmë së bashku", thonë ata. Veç plazhit dhe rërës, në qëllimin e vizitave të tyre në këto ditë janë dhe disa vende historike dhe arkeologjike. Nisur nga problemet e viteve të mëparshme, pushuesit shprehen se këtë vit nuk po e ndjejnë mungesën e energjisë elektrike dhe të ujit të pijshëm. Për ta, shqetësimi kryesor janë rrugët për të mbërritur deri në qytetin e Vlorës dhe brenda tij. Vetë Bashkia e Vlorës ka përfunduar dhe është në proces e sipër të rikonstruksionit të rrugëve të brendshme, të cilat parashikohet të përfundojnë para pikut të sezonit. Nëse nuk do të realizohet kjo, atëherë turistët do të kenë sërish për çfarë të ankohen, për pushimet e tyre në bregdetin e jugut.
Durrës, dëmtohen kullat e vrojtimit
DURRES - Kullat e vrojtimit "Bayëatch" të cilat u inauguruan pak vite më parë në plazhin e Durrësit janë shkatërruar duke mos qenë në shërbim të sezonit veror 2010. Historia e parë e Life-Guard-ëve shqiptarë nisi bukur, bashkë me punën vullnetare të notarëve të klubit sportiv "Teuta", por ajo ka përfunduar nga mosmirëmbajtja e këtyre objekteve simbol për plazhet e mbipopulluara. Tre vjet më parë një skuadër notarësh dhe çiklistësh u vunë në vrojtim, me mjete optike dhe patrullime në det dhe në tokë, për të qenë të gatshëm në raste rreziku. Por shkatërrimi i këtyre objekteve nga koha, por edhe nga vandalizmi i elementëve të veçantë në muajt e dimrit, ka bërë që ky investim të shkojë dëm. Ndonëse sezoni veror është inauguruar në Durrës, kullat janë bosh dhe në rast rreziku mbytjeje në det nuk ka se kush të japë ndihmën e parë. Plazhi i Durrësit pret në muajt më të nxehtë të vitit afro 80 mijë turistë ditorë. Në verën e vitit 2007 përgjatë sektorëve "Apolonia", "Hekurudha" dhe "Iliria" të plazhit të Durrësit u ngritën një sistem kullash vrojtimi të ndihmës së shpejtë në një distancë 200 metra larg njëra-tjetrës.