Dixhitalizimi i të dhënave, Ministria e Punës, bashkëpunim me Italinë
Nënshkruhet Memorandum Mirëkuptimi mes Ministrisë së Punës dhe Rajonit Friuli Venecia Giulia, Itali, për dixhitalizimin e të dhënave që administron kjo ministri dhe strukturat e saj. Marrëveshja u nënshkrua nga ish-ministri i Punës, Anastas Duro, dhe Presidenti i Rajonit italian, Renzo Tondo, gjatë vizitës dyditore të një delegacioni të Ministrisë në Itali. Memorandumi i Mirëkuptimit dypalësh pritet të finalizohet me një projekt konkret që do të fillojë së shpejti në Ministrinë e Punës dhe që ka në qendër të tij dixhitalizmin e të dhënave që menaxhohen nga institucione të Ministrisë së Punës si, të dhënat për varfërinë, shpërndarjen e saj dhe përfituesit; të dhënat për të papunët, kategoritë e tyre dhe përfitimet, etj. Realizimi i këtij projekti, do të lehtësonte menaxhimin më të mirë të skemave përkatëse, do ta bënte më eficiente punën e strukturave dhe do të mundësonte shërbimin më të mirë ndaj kategorive në nevojë. Pala italiane do të marrë përsipër mbështetjen me asistencë teknike të strukturave të Ministrisë së Punës për realizmin e projektit. Presidenti Tondo, u shpreh i kënaqur nga niveli i bashkëpunimit mes dy vendeve dhe se Italia gjithmonë ka qenë e interesuar t’i ofrojë fqinjit të saj ndihmën e pakursyer në të gjitha fushat.
15 Maj 2009