Dhuna në familje, për 6 muaj “vret” 852 viktima
Dhuna në familje, për gjashtë muajt e fundit ka goditur 852 viktima. Shifra alarmante për këtë fenomen bëhet e ditur nga drejtuesit e Ministrisë së Punës dhe asaj të Brendshme. Por, pavarësisht shifrës reale të dhunës në familje, drejtuesit e dy ministrive të mësipërme, kanë deklaruar se fenomeni është ulur ndjeshëm. Kjo, sipas zëvendësministres së Punës, Marjeta Zaçe, ka ardhur si pasojë e kuadrit ligjor, që mbron të dhunuarit, duke i nxitur ata për të denoncuar rastet. “Nuk është thjesht se kemi rritje të fenomenit të dhunës. Aktualisht janë ndërgjegjësuar, opinioni publik, për të denoncuar dhunën dhe tashmë ata janë të bindur që ka një mbrojtje ligjore që ua siguron këtë”,- shprehet Zaçe. Ndërsa sipas zëvendësministres së Ministrisë së Brendshme, Iva Zajmi, është ulur trafikimi i jashtëm i qenieve njerëzore, por është shtuar ndjeshëm, fenomeni i shfrytëzimit të fëmijëve në punë. Qytete si Tirana apo Vlora, kanë dhe shifrat më të larta. “Ka një rënie të trafikimit të jashtëm, por ka një vëmendje më të madhe dhe një intensifikim të shfrytëzimit të brendshëm të punës së detyruar të fëmijëve”, - tha Iva Zajmi. Këto deklarata u bënë gjatë prezantimit të projektit për mbështetjen e qendrës së re të grave “Hëna e re” në Elbasan, e cila ju jep mbështetje femrave të dhunuara. Ky projekt është financuar nga Ministria e Jashtme italiane.
15 Maj 2009