E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kardiologu Manushi: ”Na mungojnë kushtet për të përballuar fluksin e vizitave”

Rritja e temperaturave, pritet shtim i fluksit të të sëmurëve me zemër. Specialisti jep këshilla për qytetarët se si të mbrohen nga të nxehtët

Emanuela Sako

Stina e verës nxjerr më në dukje problemet që ka shëndetësia dhe problemet shëndetësore që kanë qytetarët. Kjo për arsye se moti parashikohet të shoqërohet me temperatura të larta gjatë stinës së verës. Specialistët kanë deklaruar se vera e këtij viti do të jetë nga më të nxehtat. Mjeku Kardiolog pranë Poliklinikës së Specialiteteve nr. 3, Valer Manushi, shprehet se është e domosdoshme që pranë poliklinikës të krijoheshin dhomat e rehidrimit. Aktualisht këto dhoma nuk ndodhen në asnjë poliklinikë në kryeqytet. Në këto dhoma do të bëhej trajtimi i pacientëve me solucione me bazë kripe për të rimarrë lëndët që u kanë humbur në organizëm, për shkak të temperaturave të larta.
Temperaturat
Gjatë sezonit të verës vihet re shtimi i numrit të personave që vuajnë nga sëmundja e zemrës dhe sëmundje të tjera. Madje urgjenca e kardiologjisë në QSUT-të, prej vitesh mbetet tepër “e frekuentuar” nga pacientët, të cilët mjekohen edhe në tavolina për shkak të mungesës së ambienteve. Mjekët thonë se deri tani nuk ka filluar fluksi i madh, i cili pritet të shtohet gjatë ditëve të ardhshme, me ardhjen e valës së nxehtë. Të nxehtët që sapo ka filluar pritet të sjellë probleme shëndetësore tek shumica e njerëzve që vuajnë nga ndonjë sëmundje. Por mjekët këshillojnë që pacientët duhet të ndjekin këshillat e tyre dhe në këto raste problemet shëndetësore do të minimizohen. Pacientët do të njihen me këshillat nëpërmjet broshurave që do të ndodhen në poliklinika. Personat që vuajnë nga sëmundjet e zemrës duhet të marrin një sërë masash edhe me kurën e medikamenteve që ua ka këshilluar mjeku specialist. Sipas Manushit, Pacientët që duhet të ndjekin me përpikmëri kurën e dhënë dhe duhet të drejtohen tek mjeku për të rregulluar dozën e medikamenteve. Kardiologu Manushi shprehet se moshat më të prekura nga sëmundja e zemrës janë personat mbi 60 vjeç. Por vitet e fundit ka një shtim të moshave të reja Mbi 30 vjeç. Shkak për këtë është bërë mënyra e jetesës siç është ushqyerja apo pasiviteti.
Këshillat
Mjeku kardiolog këshillon që qytetarët të mos dalin në orën e pikut të vapës, por të dalin gjatë orëve të para të paradite dhe të pasdites. Në këto orare temperaturat pësojnë rënie të ndjeshme. Duhet të konsumohen mjaft lëngje dhe të konsumohen më tepër perimet, ku nuk duhet tepruar me ushqimet apo yndyrat. Qytetarët duhet të sigurohen për ushqimet që do të konsumojnë, pasi mund të kenë ndotje mikrobike. Kështu, ushqimet që konsumohen duhet të jenë të kontrolluar dhe qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm për vendet se ku i blejnë.

Bashkëpunimi mjek-farmacist, problem i pazgjidhur për shëndetësinë

Bashkëpunimi ndërmjet mjekut dhe farmacistit për interesa të përbashkëta mbetet ende një problem kyç dhe i pazgjidhur për shëndetësinë. Kjo situatë është vënë në dukje nga Urdhri i Mjekut apo autoritetet e tjera shëndetësore. Sipas tyre, këto probleme bien direkt mbi kurrizin e pacientëve dhe koston e shërbimit. Gjithçka u bë e ditur gjatë diskutimi me temë “Roli i faktorëve në funksionimin e sistemit shëndetësor në tërësi dhe atë farmaceutik në veçanti”, ku morri pjesë Ministrja e Shëndetësisë, Urdhri i Mjekut të Shqipërisë, përfaqësues Fakulteti i Mjekësisë, ISKSH, QKKB, ASHR, Urdhri i infermierit, Shoqata e sindikatave farmaceutike, Shoqata mjekësore e Stomatologëve etj. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, u shpreh se tashmë autonomia e dhënë spitaleve për menaxhimin e të ardhurave është një hap kryesor. “Jemi përpjekur të instalojmë një lloj mënyre të re menaxhimi të sektorit shëndetësor, e cila ka të bëjë me një farë ‘cenimi’ të fuqisë së qendrës dhe rritje të autonomisë dhe fuqisë së strukturave të faktorëve periferikë”,- u shpreh Godo. Kryetari i Urdhrit të Mjekut, Din Abazaj, u shpreh se përgjegjësitë për të siguruar shëndet nuk janë vetëm të MSH-së dhe profesionistëve të sistemit shëndetësor, por dhe e politikave qeverisëse, janë atribute ndërsektoriale me përfshirje aktorësh e faktorësh edhe jashtë sistemit.

15 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›