Padia e Veliajt dhe fjala e lirë
EDUARD ZALOSHNJA
Padia për shpifje e Erion Veliajt kundër Gerti Bogdanit ka sjellë edhe një herë në qendër të vëmendjes së opinionit publik shqiptar një nga të drejtat më të rëndësishme që një shtet demokratik i garanton qytetarëve të tij - lirinë e fjalës. Kjo e drejtë, ndër të tjera, i jep mundësinë individëve dhe grupimeve të krijuara prej tyre që të kritikojnë individë apo grupime të tjera, si dhe të ofrojnë alternativa më të mira për shoqërinë. Por si gjithë të drejtat e tjera që gëzojnë individët në një shtet demokratik, edhe liria e fjalës nuk është absolute. Në një shtet të tillë, e drejta e çdo individi mbaron aty ku fjalët apo veprat e tij dëmtojnë në mënyrë arbitrare një individ tjetër, një grup individësh, apo shoqërinë në tërësi. Për shembull, e drejta për të lëvizur lirisht ka kufizimet e saj - po të shtypësh një njeri me veturën që po e nget në mënyrë të papërgjegjshme, rrezikon që liria e lëvizjes të të reduktohet për disa vite në lirinë për të shëtitur vetëm brenda mureve të burgut. Në të njëjtën mënyrë, e drejta për aktivitet ekonomik privat ka kufizimet e saj - në qoftë se një kompani shet produkte që shkaktojnë sëmundjen ose vdekjen e blerësve, pronarët e saj rrezikojnë të përfundojnë ose në burg, ose në falimentim, ose në të dyja.
Duke u kthyer te liria e fjalës, në të gjitha shtetet demokratike, ajo kufizohet në rastet kur një individ, organizatë, institucion, apo zyrë qeveritare dëmton reputacionin e dikujt nëpërmjet një shpifje publike. Në raste të tilla, ligjet e këtyre shteteve e mbrojnë personin që është ofenduar kur ai është në gjendje të provojë se i është shkaktuar dëm moral ose material nga një deklarim publik, dhe se deklarimi është i pavërtetë.
Edhe ligjet shqiptare, duke parashikuar dëmshpërblim për ofenduesit, ia sigurojnë një mbrojtje të tillë personave që ofendohen pa të drejtë publikisht. Madje, një nen i Kodit Penal shqiptar parashikon edhe burgim në rastet e ofendimit të një personi publik. Kuptohet që ky nen është një atavizëm krejt i panevojshëm nga koha e diktaturës komuniste - kohë në të cilën mund të burgoseshe thjesht për ato që thoje ose shkruaje, ndërkohë që nuk kishe bërë ose planifikuar ndonjë vepër që do shkaktonte dëm fizik ndaj individit apo shoqërisë. Si i tillë, ky nen i Kodit Penal duhej të ishte prehur me kohë në koshin e historisë. Por për të mos devijuar nga fokusi i artikullit, le të përqendrohemi te paditë për shpifje publike që nuk synojnë burgimin e dikujt.
Pavarësisht nga ekzistenca e mekanizmave ligjorë që garantojnë këto lloj padish, në 18 vjetët e demokracisë shqiptare, me lirinë e fjalës kanë abuzuar jo pak politikanë, si dhe disa nga gazetarët tanë. Për dikë që ka ndjekur politikën dhe mediat shqiptare në këto vjet, nuk është e vështirë të katalogojë me dhjetëra, në mos qindra raste, kur akuza shumë të rënda publike janë bërë, ndërkohë që faktet për të mbështetur akuzat ose nuk kanë ekzistuar, ose kanë qenë shumë të tërthorta. Shembulli më i dokumentuar i një akuze të pabazë është akuza e rëndë që Berisha i bëri Nanos në lidhje me vrasjen e Azem Hajdarit.
Duke pretenduar se kishte informacion shumë të sigurt e të besueshëm, Berisha e quajti Nanon urdhëruesin dhe organizuesin e vrasjes fill pas saj. Disa vite më vonë, ai deklaroi se, nga informacioni që kishte, dilte që Nano nuk kishte patur gisht në vrasje. Kjo deklaratë e dytë la të kuptohej se akuza fillestare e Berishës ose ishte bazuar në fakte krejtësisht të tërthorta, ose thjesht në hamendje. Ose, thënë ndryshe, ai praktikisht vërtetoi se do e kishte patur shumë të vështirë të mbronte akuzat fillestare në qoftë se do ishte paditur në gjyq nga Nano.
Kuptohet që Nano nuk hapi padi kundër Berishës për arsyet politike që dihen. Por sidoqoftë, në raste të tjera më pak sensitive politikisht, gjyqet për shpifje publike, deri nga fundi i vitit 2002, nuk u përdorën shpesh nga pushtetarët. Kujtesa e hidhur e regjimit komunist, i cili nuk lejonte as kritikën më të vogël publike ndaj pushtetarëve, ndoshta ka qenë faktori kryesor që të ofenduarit e pushtetshëm të tregoheshin relativisht të përmbajtur në përdorimin e mekanizmave ligjorë për ndëshkimin e shpifjeve publike. Ndërsa duke filluar nga 2003-shi, numri i gjyqeve për shpifje u shtua. Dhe në një farë mënyre, zhvillimi i tyre po krijon precedentin e ndëshkimit të atyre që ofendojnë publikisht kundërshtarët me akuza të pabazuara në fakte bindëse.
I përdorur me masë nga të ofenduarit, dhe i ekzekutuar me paanshmëri nga drejtësia, mekanizmi i padive për shpifje mund të bëhet një faktor i rëndësishëm për civilizimin e debatit publik në Shqipëri. Kjo, sepse kur paditë përfundojnë me detyrimin që shpifësit publikë të paguajnë dëmshpërblime të kripura, ky mekanizëm shërben si një zile paralajmëruese për ata politikanë apo gazetarë që iu vjen për mbarë ta quajnë dikë fajtor, edhe kur e vetmja bazë për akuzën është thashethemja, hamendja, ose thjesht opinioni i tyre personal.
Në një atmosferë që e dekurajon shpifjen, ndoshta sulmet e Berishës me epitete si “Kryelavatriçja e parave të pista” dhe “Kryemafiozi i Ballkanit”, të cilat i ka përdorur për Edi Ramën, për shembull, mund të ishin shndërruar në një sulm më të civilizuar të tipit “Edi Rama mund të ketë patur rezultate në punën e tij si kryetar bashkie, por nga informacionet që disponojmë, kemi arsye të dyshojmë se ai po ndihmon firma mafioze të pastrojnë para të pista dhe se ai ka shpërdoruar fonde publike” Përveç përçimit të mesazhit se civiliteti po zë vend në debatet publike, një sulm i tillë do kishte potencialin të tërhiqte vëmendjen e atyre votuesve që mendojnë se Edi Rama ka punuar mirë, por që nuk janë të sigurtë në se është krejtësisht i pastër.
Efekti civilizues i mekanizmit të padive për shpifje është vetëm njëra anë e medaljes. Por ai përmban një rrezik jo të vogël për kufizimin e padrejtë të fjalës së lirë. Favorizimi i pushtetarëve nga gjykatësit e çështjeve të tilla përbën rrezikun më të madh për fjalën e lirë në shoqëritë pas-diktatoriale, në të cilat, gjykatësve iu duhet kohë e gjatë të mësohen me ndarjen e pushteteve që garanton një kushtetutë demokratike. Në Shqipëri, mbetet të shihet nëse 18 vjetët e kaluar që nga koha e rrëzimit të diktaturës kanë qenë të mjaftueshme për të krijuar bindjen tek gjykatësit se të gjithë politikanët, si ata që sot janë në fuqi edhe ata që do e marrin nesër pushtetin, janë të barabartë përpara ligjit.
Përveç rrezikut të kufizimit të padrejtë të fjalës së lirë, mekanizmi i padive për shpifje përmban edhe një rrezik tjetër më të vogël, por sidoqoftë të rëndësishëm për zhvillimin e demokracisë shqiptare. Përdorimi vend e pa vend i këtij mekanizmi mund ta shndërrojë atë në një cirk politik që e zbeh vlerën parandaluese të tij. Për shembull, kur para disa vitesh zonja Nano donte të hapte një padi kundër F. Lubonjës për një opinion që ai e kishte shprehur publikisht, ajo rrezikonte të bënte qesharake si veten ashtu edhe procesin gjyqësor. Kjo, sepse sado i gabuar mund të jetë një opinion, Kushtetuta nuk ia kufizon të drejtën e shprehjes së lirë autorit të tij.
Shembujt e mësipërm tregojnë qartë se shoqëria jonë e re demokratike, fatkeqësisht, akoma nuk e ka gjetur balancën e duhur në përdorimin e fjalës së lirë. Por ajo që të dëshpëron më shumë është se, duke gjykuar nga progresi në shumë fusha të tjera, nuk mund të shpresosh që rruga për arritjen e kësaj balance do jetë e lehtë.