Tragjedia dhe profili i Butrintit
Diana Ndrenika
Mediat e huaja, pas atyre shqiptare, dhanë ditët e fundit një lajm të hidhur. Njëra nga varkat që po transportonin ilegalisht shqiptarë klandestinë në jug të vendit, u përmbys në liqenin e Butrintit. Në deklaratën e parë të policisë, një nënë e re dhe foshnja e saj raportoheshin të humbura. Trupat e tyre u nxorën nga uji më pas, pak orë pasi tragjedia u bë publike. Dy ditë më vonë, në afërsi të vendit të ngjarjes, forcat e shpëtimit nxorën edhe dy të mbytur të tjerë. Një i tretë, një 17-vjeçar nga rrethi i Lushnjës, që rezulton i humbur pas përmbysjes së varkës ende nuk është gjendur. Pra një tragjedi që deri tani duket se ka marrë jetët e pesë personave, ndërkohë që jetët e dhjetëra qytetarëve të tjerë kanë shpëtuar falë rastësisë.
Por ka dhe një tragjedi të dytë. Pas kësaj humbje njerëzore fshihet një dëm tjetër, sepse kjo ngjarje e rëndë, e përsëritur gjatë dekadës së fundit, nuk ka ndodhur në Kanalin e Otrantos, por kësaj here në Qendrën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, në Butrint.
Butrinti, kjo mrekulli e botës antike, që rri aty prej rreth tre mijë vjeçarësh për të na dëshmuar historinë e Mesdheut në shekuj, sot, dëshmoi ekzistencën e një trafiku të paligjshëm, të panjohur, trafik i cili herët apo vonë prodhoi viktimat e tij të para.
Por a duhet të jetë Butrinti i Virgjilit, i Ciceronit, i Eduard Lirit, vendndodhja e një ngjarjeje të tillë?! – Nënë e bijë mbyten në liqenin e Butrintit! – Përmbyset varka me klandestinë! Pesë të mbytur në Butrint!
Asosacionet logjike që të çojnë në Butrint janë të ngjashme me ato të Parajsës. Ato lidhen me një peizazh Homerik, me gjelbërim të pafund, me bukuri përrallore e këngë zogjsh të rrallë. Butrintin mund ta lidhësh me kërkimet arkeologjike, me teatrin, pagëzimoren, me mozaikun mbresëlënës, me muzeun, me festivalin e tij, me liqenin, midhjet, pyllin, apo shëtitjet e bukura me varkë nëpër liqen drejt rrënojave antike në rrethinat aty pranë, apo drejt kalasë së Ali Pashës në grykë të Vivarit.
Shqiptarët nuk kishin dëgjuar më parë një lajm të tillë, as mijëra vizitorët e huaj që vijnë aty gjatë sezonit. Politikanët shpesh krenoheshin me Butrintin.
Por fatkeqësisht, trupat e të mbyturve dëshmojnë të kundërtën. Ato dëshmojnë se në liqenin e Butrintit kalojnë klandestinë, dëshmojnë për tragjedi njerëzore të shkaktuara nga aktivitete ilegale.
Në liqenin e Butrintit, vetëm disa metra larg teatrit greko-romak po luhet, jo Eskili apo Euripidi siç do t’u kishte hije, por një tragjedi e kohëve moderne. Një tragjedi ku personazhet-aktorë pasi bien nuk ngrihen më kurrë. Është tragjedia e kohës që jetojmë, e njerëzve të ikur nëpër natë. Kjo tragjedi, pasi ka marrë jetët e pesë fatkeqëve dhe ka prekur përfundimisht familjet e tyre, sot preku dhe Butrintin.
Dhjetëra mijëra vizitorë nga tërë globi vizitojnë Butrintin çdo vit, përgjatë gjithë sezonit turistik. Eshtë një nga potencialet tona më të forta për t’iu shfaqur botës me një profil të lartë, profil ky i domosdoshëm për ne shqiptarët.
I shumënjohur si destinacion turistik, i preferuar nga turistët elitarë të turizmit kulturor, i përfshirë në programet dhe itineraret e qindra agjencive turistike nga e gjithë bota, përpjekjet në vite për të atraktuar turizëm në Butrint kanë qenë maksimale. Ai është një burim për të cilin ne jemi krenarë. Jo rrallë mediat e huaja kanë folur për Butrintin. Në këndvështrimin e të huajve Butrinti është quajtur - dritare e Shqipërisë në botë.
Por krejt papritur, emri i Butrintit lidhet me një realitet tjetër, të hidhur. Shumëkush prej nesh e njeh këtë realitet, por pakkush mund të imagjinojë dëmin publik që një ngjarje e tillë i shkakton Shqipërisë, pikërisht lidhja e Butrintit me ekzistencën e trafiqeve klandestine. Sepse sot Butrinti nuk magjeps, por rrëqeth, sot Butrinti zbret nga vendi i praruar e zhytet në vorbullën e problemeve ku jetojmë. Të sjell ndër mend Vlorën e viteve ‘90, Otranton e ‘97-ës… modelin e një Shqipërie që duhet ta kishim lënë pas…
Butrinti duhet të jetë një model shprese, në kundërshti me këtë pamje të trishtë. Shqipëria ka një natyrë të magjishme dhe burime të mrekullueshme. Ka njerëz vitalë.
Në më pak se dy dekada ne kemi shndërruar jetët e prindërve dhe të fëmijëve tanë. Kemi punuar shumë në këto dy dekada, prandaj duhet të guxojmë më shumë! Ne kemi të drejtën për të jetuar në vendin tonë. Sot ne duhet të guxojmë jo për t’u hedhur matanë, por për të hedhur tej administrimin e keq, imazhin e keq të një Shqipërie të vjetër. Këtu duhet të ndërtojmë rrugën, shkollën, spitalin, shtëpinë, administratën e mirë, turizmin, të ardhmen. Shqiptarët pa dyshim meritojnë më shumë. Që Butrinti antik, ashtu siç i ka hije, të rrezatojë paqe të përjetshme.