Projektligji, afatet e reja për lejet e ndërtimit
ADI SHKEMBI
Qeveria bën gati ligjin e ri të urbanistikës. Drafti i ri sanksionon parimin “heshtja është miratim” si dhe i jep Drejtorit të Përgjithshëm të Urbanistikës kompetencat e KRRT-së së komunës ose bashkisë.Në nenin 66 përcaktohet pikërisht Drejtori i Përgjithshëm i Urbanistikës së komunës/bashkisë si autoriteti përgjegjës për pranimin, shqyrtimin dhe vendimmarrje, për kërkesa, për leje zhvillimore, për leje objekti, etj,. Ndërsa Këshilli i Ministrave është autoriteti përgjegjës për vendimmarrje, për leje zhvillimore komplekse brenda territorit të vendit.
Miratimi i lejeve
Sipas draftit, i cili sot do të diskutohet në një tryezë të Ministrisë së Transporteve me kryetarët e bashkive, Drejtori i Përgjithshëm i Urbanistikës së bashkisë ose komunës ka 45 ditë kohë të shqyrtojë kërkesën për lejen e ndërtimit. Nëse brenda këtij afati, ai nuk shprehet për këtë kërkesë, kërkesa quhet e miratuar në heshtje. Kjo procedurë është e njëjtë në lejet zhvillimore ndërtimi, lejet infrastrukturore, lejet e veçanta dhe lejet komplekse. “Drejtori i Përgjithshëm i Urbanistikës së komunës/bashkisë kryen shqyrtimin e kërkesës për leje zhvillimi, brenda 45 ditëve kalendarike nga pranimi i kërkesës. Kur, Drejtori i Përgjithshëm i Urbanistikës së komunës/bashkisë, pas përmbushjes së këtij afati nuk shprehet për kërkesën, kërkesa quhet e miratuar ‘në heshtje’, vetëm për zhvillime me destinacion banimi për nevoja të kërkuesit, ndërsa për zhvillime të tjera konsiderohet e pa shqyrtuar dhe kërkuesit i lind e drejta të ankimojë me shkrim, faktin pranë kryetarit të komunës/bashkisë brenda 30 ditëve”, thuhet në nenin 74 të draftit.
Gjoba dhe penalitete
Në ligj saktësohen dhe gjobat e penalitetet për rastet kur sipërfaqja e ndërtuar është më e madhe se sipërfaqja që është përcaktuar në lejen e ndërtimit. Kështu nëse konstatohet se sipërfaqja e ndërtuar është 5 për qind më e madhe se sipërfaqja e përcaktuar në lejen e ndërtimit, vendoset gjobë deri në 25 për qind të çmimit të shitjes së të gjithë objektit. Nëse sipërfaqja e tepërt është deri në 10 për qind, gjoba është deri në 50 për qind të objektit.
Konsultimet
Qeveria, duke u mbështetur në programin e saj politik, ka të drejtë të vendosë brenda 1 muaji nga miratimi i programit politik në Kuvend, rishikimin e planit të përgjithshëm të vendit me qëllim zbatimin e objektivave qeverisëse në fushën e investimeve, ekonomisë, turizmit apo strehimit. Rishikimi i përgjithshëm i këtij plani përfundon brenda vitit të parë të qeverisë së dalë nga zgjedhje të përgjithshme. “Kur ministri përgjegjës për planifikimin hapësinor dështon të sjellë projektin për miratim në Këshill të Ministrave, mospërmbushja në kohë e detyrës së ngarkuar me autorizim, përbën shkak ligjor të mjaftueshëm për shkarkimin e ministrit nga detyra”, thuhet më tej në nenin 29 të draftit. Gjithashtu në pr.ligj parashikohet që partia më e madhe e opozitës në Kuvend të dorëzojë kopje të objektivit politik që duhet të përmbushë plani.
Reklamat
Me miratimin e këtij drafti i jepet lamtumirë kioskave. Në nenin 84 thuhet se “Kërkesat për leje për ndërtime të përkohshme pranohen për shqyrtim nga autoriteti përgjegjës vetëm në rastet e fatkeqësive natyrore apo rasteve të njësuara në to. Kërkesa nuk identifikon sipërfaqe të paluajtshme konkrete ku do të vendoset struktura por vetëm nevojën dhe kërkesën për numrin e popullsisë, gjësë së gjallë apo pajisjet dhe teknollogjinë që do strehohet”. Për sa i përket taksës së ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja për zhvillime komplekse në emër të shtetit shqiptar, të financuara 100% nga fonde të sistemit buxhetor, taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja është zero.
nenet kryesore te ligjit
Neni 74
Afati dhe procedura e shqyrtimit të kërkesës për leje zhvillimore ndërtimi
Drejtori i Përgjithshëm i Urbanistikës së komunës/bashkisë kryen shqyrtimin e kërkesës për leje zhvillimi, brenda 45 ditëve kalendarike nga pranimi i kërkesës. Kur, Drejtori i Përgjithshëm i Urbanistikës së komunës/bashkisë, pas përmbushjes së këtij afati nuk shprehet për kërkesën, kërkesa quhet e miratuar ‘në heshtje’, vetëm për zhvillime me destinacion banimi për nevoja të kërkuesit, ndërsa për zhvillime të tjera konsiderohet e pa shqyrtuar dhe kërkuesit i lind e drejta të ankimojë me shkrim, faktin pranë kryetarit të komunës/bashkisë brenda 30 ditëve.
Ankimimi përmban shprehjen e interesit të kërkuesit për vijimin e shqyrtimit dhe kopje të dërguar nga autoriteti përgjegjës për vërtetimin e pranimit të dokumentacionit paraprak ose dëshmi ekuivalent: Kryetari i komunës/bashkisë, brenda 15 ditëve pune, i konfirmon kërkuesit sipas rastit se:
a) kërkesa është në kundërshtim me këtë ligj, me planet hapësinore në fuqi apo rregulloren e zbatimit dhe për këtë shkak ligjor nuk aprovohet sipas projektit të kërkuesit duke caktuar dhe shkakun konkret që bën projektin të papranueshëm;
b) kërkesa konstatohet se është e mbështetur në planet hapësinore në fuqi dhe rregulloret e zbatimit.
Kur kryetari i komunës/bashkisë i konfirmon kërkuesit se aplikimi është sipas shkonjës ‘b’ apo nuk trajton ankimin e paraqitur sipas paragrafit të dytë të këtij neni brenda 30 ditëve apo nuk përgjigjet, kërkesa konsiderohet e miratuar në heshtje.
Neni 75
Afati dhe procedura e miratimit të kërkesës së lejes infrastrukturore
Drejtori i Përgjithshëm i Urbanistikës së komunës/bashkisë, kryen shqyrtimin e kërkesave për leje infrastrukture brenda 45 ditëve kalendarike nga pranimi sipas pikës 2, të nenit 70 të këtij kreu. Kur, autoriteti përgjegjës i komunës/bashkisë nuk shprehet brenda afatit sipas nenit 63 të këtij kreu, kërkesa quhet e miratuar në heshtje, vetëm për zhvillime me destinacion sinjalistikë rrugore. Për zhvillime të tjera infrastrukturore është e zbatueshme procedura e ankimit dhe afatet e zbatuara në nenin 74 të këtij ligji.
Neni 76
Afati dhe procedura e miratimit të lejes së veçantë
Drejtori i Përgjithshëm i Urbanistikës së komunës/bashkisë kryen shqyrtimin e kërkesës zhvillimore për leje të veçantë, brenda 10 ditëve kalendarike nga pranimi i kërkesës. Kur, autoriteti përgjegjës i komunës/ bashkisë nuk shprehet brenda afatit, kërkesa quhet e miratuar në heshtje. Për kërkesat për zhvillime të veçanta zbatohet procedura e ankimit dhe afatet e vendosura për ankimin e lejeve zhvillimore për ndërtime, sipas nenit 74 të këtij kreu.
Neni 77
Afati i shqyrtimit të lejes komplekse dhe nocioni i pranimit në heshtje
Këshilli i Ministrave kryen shqyrtimin e kërkesës për leje komplekse brenda 120 ditëve kalendarike nga pranimi i propozimit sipas pikës 2 të nenit 70 të këtij kreu. Kur pas plotësimit të këtij afati, ministria e linjës apo Këshilli i Ministrave nuk përfundojnë vlerësimin teknik apo shqyrtimin dhe vendimmarrjen për kërkesën sipas nenit 73 të këtij kreu, apo nuk shprehen për kërkesën, kërkesa konsiderohet e miratuar ‘‘në heshtje’’.
Përjashtim nga parimi i pranimit në heshtje bëhet për të gjitha kërkesat për të cilat Këshilli i Ministrave gjatë afatit 120 ditor të shqyrtimit në themel vendos zgjatje të afatit për një afat tjetër deri 80 ditë. Nëse dhe pas këtij afati ministria e linjës apo Këshilli i Ministrave nuk përfundojnë vlerësimin teknik apo shqyrtimin dhe vendimmarrjen për kërkesën, sipas nenit 73 të këtij kreu, këto kërkesa konsiderohen të miratuar ‘‘në heshtje’’.
Neni 120
Gjoba dhe penalitete
Kur, në përfundim të afatit 5 ditor të ankimimit sipas nenit 119 të këtij ligji, INUK pranë bashkisë/komunës ose INUK qendror, për leje zhvillimore komplekse, konstaton se zhvilluesi nuk ka rikthyer zhvillimin në ligjshmëri, ai harton akt konstatimin përkatës dhe vendos sipas rastit:
1. Kur konstaton rritje të sipërfaqes mbi leje:
a) deri 5% të sipërfaqes së lejuar i vendos gjobë zhvilluesit në masën 25% të çmimit të shitjes së gjithë zhvillimit;
b) mbi 5% deri 10% të sipërfaqes së lejuar, i vendos gjobë zhvilluesit, në masën 50% të çmimit të shitjes së gjithë zhvillimit;
c) mbi 10% deri 20% të sipërfaqes së lejuar, i vendos gjobë zhvilluesit, në masën 80% të çmimit të shitjes së gjithë zhvillimit;
ç) mbi 20% të sipërfaqes së lejuar, zhvillimi konfiskohet dhe kalon në pronësi të autoritetit përgjegjës për dhënien e lejes dhe ndaj zhvilluesit vendoset gjobë në masën 50% të çmimit të shitjes së gjithë zhvillimit të parashikuar në leje;
Berisha: Ligji i ri nuk do të ketë më gjobën 15% për lejet
Kryeministri Sali Berisha tha dje se ligji i ri i urbanistikës, i i cili do të miratohet brenda një kohe të shkurtër në qeveri, do të eliminojë pagesën e gjobës 15 për qind. Kjo, sipas tij, do të bëhet pikërisht duke vendosur afate konkrete që Drejtori i Përgjithshëm i Urbanistikës në bashki ose komunë, të shprehet për lejet. “Për sa i përket lejeve të ndërtimit, nuk do të ketë më 15 për qindësh. Në mënyrë absolute do të merret automatikisht e drejta e ndërtimit, në qoftë se i mohohet në kundërshtim me planin, në qoftë se i zgjatet për shkak të gjobës. Dhe për këtë do të ketë një afat”, u shpreh Berisha. Duke folur në mbledhjen e qeverisë ai theksoi se zgjatja e afatit, sipas ligjit aktual, bëhet pikërisht që të gjithë aplikuesit për leje ndërtimi të paguajnë gjobën 15 për qind. “Zgjatjet e afatit janë procesi i vjeljes së gjobës. Prapa çdo zgjatje afati të burokracisë, të paktën në 90 për qind të rasteve, qëndron procesi që synon parapërgatitjen e terrenit për ryshfetin. Heshtja është miratim”, u shpreh Berisha. Ligji i ri i urbanistikës, i cili do të kalojë në qeveri për t’u miratuar në mbledhjet e ardhshme ka nisur ndërkohë konsultimin me organet vendore. Kështu dy ditë më parë ligji u diskutua me kryetarët e 12 qarqeve të vendit, të cilët u shprehën në parim pro draftit të ri. Ndërkohë gjatë ditës së sotme Ministria e Punëve Publike do të diskutojë draftin me kryetarët e bashkive dhe të hënën me kryetarët e komunave.