E Diel, 1 Nëntor 2026

Banorët pa ujë të pijshëm, 1 milion euro për ujësjellës

09/12/2009  Projekti, realizim së shpejti

DURRES- Banorët në fshatin Hamallaj të Bashkisë së Sukthit janë ankuar në prefekturë dhe në qarkun e Durrësit për mosfurnizim me ujë të pijshëm edhe pas investimit në miliona lekë për ndërtimin e ujësjellësit dhe shtrimin e tubacioneve. Një vit më parë qeveria afroi fillimisht 90 milionë lekë për të ndërtuar ujësjellësin që do të mbulonte furnizimin me ujë të pijshëm për një popullsi deri në 10 mijë banorë, ndërsa në pranverën e sivjetme fondit të parë i janë shtuar edhe 50 milionë lekë të tjera. Banorët në Hamallaj dhe në Hidrovor mundën të bindin bashkinë e Sukthit dhe kjo e fundit ministrinë për të realizuar një nga projektet më të domosdoshme siç është ai për ujin e pijshëm në Hamallaj. Pas viteve 2000 zona e cila dikur ka shërbyer më së shumti për dënimin e familjeve dhe individëve për shkak të pikëpamjeve politike, është populluar me banorë nga të gjitha trevat. Rritja e numrit të banorëve shtroi para Bashkisë së Sukthit detyrimin për të gjetur burime e financimit për ndërtimin e rrjetit të ri Hamallaj-Hidrovor, shtrirjen e tubacioneve të ujit dhe vendosjen e matësve. Të gjitha familjet kanë mundur të mbijetojnë deri vone në saj të disa çezmave publike, të cila për shumë arsye herë kishin ujë dhe herë jo. Ndërsa kërkesat e popullatës u shtuan me rritjen popullsisë, një vit më parë është dhënë fondi në 90 milionë lekë për të nisur nga zbatimi i projektit. Në kohën e fillimit të punimeve për të ndërtuar këtë ujësjellës, projekti është ndryshuar duke parashikuar shtirjen e tubacioneve dhe vendosjen e matësve shtëpi më shtëpi. Së bashku me fondin e shtuar investimi ka kapur shumën 1.1 milionë euro, ndërsa është menduar se fondi do i jepte zgjidhje përfundimtare etjes së banorëve të zonës për ujë të pijshëm. Por përfaqësues të banorëve të Hamallaj që kanë vendosur të kërkojnë tashmë ndihën e prefekturës dhe të qarkut për të mësuar se çfarë ka ndodhur me fondet e ujësjellësit, janë deklaruar se në banesat e tyre nuk ka asnjë pikë ujë. Tubacionet janë shtrirë në të gjitha lagjet e fshatit Hamallaj duke zbritur deri në Hidrovor, kurse instalimet e tubacioneve në banesa nuk janë realizuar. Po ashtu edhe matësit e ujit u kanë mbetur në dorë familjarëve, të cilët duhet të paguajnë të tjera fonde për të realizuar këtë lidhje. Ende nuk ka një deklarim zyrtar nga Bashkia e Sukthit për të pohuar nëse firma do të vijojë të punojë për të mbyllur detyrimin apo jo. Nga ana tjetër banorët do të dërgojnë në prefekturë, qark dhe në qeveri një ankesë me nënshkrimin e kryefamiljarëve për të vënë në dijeni ministrinë e linjës. Për të marrë ujë banorët u janë rikthyer çezmave publike, të cilat janë në gjendje funksionale në lagjet e Hamallaj he në Hidrovor. Tubacioni i ujit të pijshëm nga Fushë Kuqe kalon në anë të fshatit dhe kjo është shfrytëzuar disa vite më parë nga shoqëria e ujësjellës-kanalizimeve. Për të furnizuar popullatën me ujë janë vendosur çezma publike në disa blloqe pallatesh e në laget e vogla të fshatit. Hamallaj është afro 18 km nga qyteti i Durrësit dhe vit pas viti është thënë se çështja e ujit të pijshëm do të zgjidhet në një kohë shumë të afërt. Ndërsa janë shpenzuar 1.1 milionë euro uji nuk ka vajtur në shtëpitë e banorëve, të cilët mbajnë në duar edhe matësit e ujit të pavendosur nga firma. Por nga ana tjetër banorët ankohen se ndërprerja e punimeve ka pasur me dëmtimin e linjës, e cila në disa nyje është çarë dhe se janë marrë tubacionet e ujit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›