Berat, grabiten dy kambanat shekullore në kishën e Vokopolës

Kisha e grabitur e Vokopolës në Berat
BERAT – Brenda 6 muajve në qarkun e Beratit janë grabitur 6 kisha, të cilat kishin brenda 3 kambana të kushtueshme. Edhe pse Berati është një nga rajonet relativisht i qetë për sa i përket rendit dhe qetësisë publike, fenomeni i vjedhjeve vazhdon të ngelet problem shqetësues. Pas një pauze disamujore, ka filluar sërish sulmi i vjedhjeve mbi kishat e Beratit. Këtë radhë pre e sulmit janë bërë dy kambanat e kishës “Lindja e Shën Marisë”, e pagëzuar ndryshe edhe me emrin “Lindja e Hyjlindëses Mari”, e ndodhur në fshatin Vokopolë të qytezës së Urës Vajgurore të rrethit të Beratit. Sipas klerikëve beratas, kisha që ndodhet në mes të fshatit, përballë manastirit të Ardenicës, është ndërtuar në vitin 1760 dhe përfshin fshatrat: Sqepur, Protoduar, Vojvodë, Pobrat dhe Skrevan. Burime nga Mitropolia e Beratit bëjnë me dije se kisha është vjedhur 3 apo 4 ditë më parë. Dëmi sipas tyre nuk është vetëm material, por edhe shpirtëror, kulturor e historik. Ata thonë se njëra prej kambanave me peshë 40 kg i përket vitit 1760, kohë kur edhe është ndërtuar kisha dhe tjetra është e pak viteve më vonë, pra e fillimit të shekullit XIX. Vjedhja e kambanave është konstatuar nga besimtarët e zonës së Vokopolës, të cilët menjëherë kanë njoftuar në Mitropolinë e Beratit. “Pas marrjes së njoftimit shkuam në polici dhe bëmë kallëzimin penal, me qëllim zbardhjen e ngjarjes dhe vënien e autorëve përpara ligjit, por ajo që na intereson më shumë është rikthimi i kambanave në kishë”, shprehet njëri prej klerikëve të Mitropolisë së Beratit. Burime nga Policia bëjnë me dije se është ngritur një grup pune, i cili po punon intensivisht për zbardhjen e ngjarjes dhe se së shpejti mund të kemi edhe autorët e kësaj vjedhjeje. I njëjti burim pohon se nisur nga zbardhja e disa prej vjedhjeve ka rezultuar se më së shumti vjedhjet bëhen nga grupe adoleshentësh. Ndërsa për vjedhjet e kambanave nuk përjashtohet mundësia që në këtë ngjarje autorët të jenë trafikantë të vlerave të tilla siç janë kambanat. d.xh