Dosja H e Kadaresë vjen nga Kosova
Pas kërkimeve në malësinë e Veriut të gjurmëve të Homerit, dy mbledhësit e huaj të folklorit mbërritën në Tiranë. Drama e mbështetur mbi veprën me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë, Dosja H, u ngjit mbrëmë në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë. Bëhet fjalë për një prodhim të Teatrit Kombëtar të Kosovës, me regji të Agim Sopit. Drama erdhi nën interpretimin e aktorëve Arben Kastrati, Lumnije Sopi, Anisa Ismaili, Hazir Myftari, Çun Lajçi, Kushtrim Sheremeti, Ard Ismaili, Ylber Bardhi, Ismet Azemi, Ramadan Malaj, Selman Jusufi, Selman Lokaj, Shkëlzen Veseli etj. Shfaqja zhvillohet paralelisht mbi dy binarë dramaturgjikë, edhe pse si formë narrative është më e përafërt me llojin e dramaturgjisë fragmentare. Ashtu si në roman, rrëfehet historia e dy mbledhësve të folklorit me prejardhje irlandeze, Vili Norton dhe Maks Mery Roth, të cilët vijnë nga SHBA në malësinë e Shqipërisë me një mision: të zbulojnë rrënjët e epikës së Homerit në viset e thella malore të Shqipërisë. Gjatë zhvillimit të dramës, realiteti i gjetur në epikën e gjallë të kënduar fillon të implikojë realitetin ekzistencial të vetë misionarëve. Vili befasisht gjendet në pozitën e Paridit. Ndërsa Helena moderne është Dezi, gruaja e nënprefektit, e cila bie në dashuri me Vilin. Ajo dëshiron të ikë bashkë me të përtej kufijve, por për shkak të zakoneve shqiptare dashuria e tyre është e ndaluar dhe e ndëshkueshme. Skenografia është realizuar nga Afrim Gora, kostumet nga Samka Ferri, koreografia nga Ahmet Brahimaj, ndërsa muzika mban firmën e kompozitorit Trimor Dhomi.