Ryshfet ndërtuesit, dënohet ish-zyrtarja e Hipotekës

Hipoteka e Tiranes
Gjykata pezullon dënimin me burg, e pandehura ktheu paratë, s`dha dokumentet.
Punonjësja e ZVRPP mori 10 mijë euro e një apartament.
Një ish-punonjëse e Hipotekës së Tiranës është shpallur fajtore dhe është dënuar me një vit burg dhe gjobë nga Gjykata e Tiranës rreth dy javë më parë, me akuzën e “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Dënimi me burg është pezulluar nga gjykata. Sipas vendimit të togave të zeza, e akuzuara e kësaj çështjeje, Vilma Nesturi, ka përmendur vend e pa vend edhe “shefin” në tratativat korruptive që ka bërë me një aksioner në një kompani ndërtimi, i cili po kërkonte disa dokumente nga Zyra e Hipotekës Tiranë. Biznesmenit, sipas akuzës, punonjësja e Hipotekës i ka marrë 10 mijë euro dhe më pas i ka kërkuar edhe një apartament “sado të vogël” në pallatin që po ndërtonte, për t’i hapur rrugë në tërheqjen e dokumenteve që po kërkonte në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive Tiranë. Prokuroria e ka akuzuar shtetasen Vilma Nesturi, banuese në Durrës, sipas vendimit të gjykatës, për akuzën e “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Sipas dosjes, i dëmtuari nga ngjarja ka qenë shtetasi Ervis T, i cili pasi ka kuptuar se po mashtrohej nga punonjësja e Hipotekës, ka bërë denoncim në polici në datën 1 prill 2010, ku më pas kanë nisur hetimet për ngjarjen.
Korrupsioni
I dëmtuari nga kjo histori, Ervis T., në vitin 2009 ka qenë ortak në një kompani ndërtimi, e cila ka planifikuar ndërtimin e një godine 7-katëshe tek rruga “Gani Domi”. Pas marrëveshjes me pronarët e tokës, në nëntor 2009, ai ka aplikuar në Hipotekë për marrjen e dokumenteve të pronësisë dhe saktësimin e sipërfaqes së këtyre trojeve ku do të bëhej ndërtimi. Nëpërmjet disa të njohurve të tij, Ervis T. ka marrë vesh se Vilma Nesturi punonte në Hipotekë dhe nga “miqtë e përbashkët” ka kërkuar që ajo ta ndihmonte për dokumentet që kishte kërkuar. E akuzuara më 12 maj 2009 ishte komanduar në pozicionin e specialistes në sektorin e regjistrimit dhe hartografisë së Zonës Nr.5 në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë. Më 6 nëntor 2009, ajo është liruar nga pozicioni i mësipërm dhe është komanduar në pozicionin e specialistes në sektorin e marrëdhënieve me institucionet në Hipotekën e Tiranës, nga ku është shkarkuar në datën 24 shkurt 2010. Ajo është takuar me biznesmenin e ndërtimit në prani të miqve të përbashkët, ndërsa në vazhdim të kontakteve ka kërkuar që takimet të bëheshin në parkingun e një qendre tregtare në autostradën Tiranë-Durrës. Pas disa bisedave paraprake në shkurt të vitit 2010, shtetasi Ervis T. pasi ka shkuar në sportelin ku punonte e akuzuara, ka shkuar me të në parkingun e qendrës tregtare QTU. Aty e akuzuara i ka thënë që duhet të plotësonte edhe një sërë dokumentesh, sipas një liste qe e kishte shkruar dhe, krahas këtyre dokumenteve, duheshin edhe 10.000 (dhjetë mijë) euro për shefin lart, që të firmoseshin. “Kjo shumë do të zbritej nga llogaritë që kishin bërë. Në takimet e mëparshme, e pandehura i kishte kërkuar Ervisit që t’i jepte një apartament “sado të vogël” në pallatin që do të ndërtonte dhe shtetasi Ervis kishte pranuar”. Pas 5-6 ditësh, Ervisi ka shkuar tek Hipoteka Tiranë dhe ka takuar të akuzuarën, ku i ka dhënë shumën prej 10.000 (dhjetë mijë) eurosh, ndërkohë që e pandehura i ka thënë se do t’i kthente përgjigje të nesërmen pasi, përveç dokumenteve të tjera, ai duhet të dorëzonte në sportel një vendim gjykate. Biznesmeni ka shkuar të dorëzojë vendimin e gjykatës, por e akuzuara i ka thënë se ishte me leje. Ditë më vonë, biznesmeni ka shkuar prapë tek Hipoteka dhe, pasi ka kontaktuar me të akuzuarën, ajo i ka thënë se duheshin edhe 10 mijë euro të tjera. I dëmtuari nga ngjarja i ka thënë Vilma Nesturit se e kishin hequr nga puna, pasi nga të njohur të rinj kishte parë edhe urdhrin e shkarkimit, por më pas ajo ka thënë se ishte në punë dhe puna do mbarohej. Dokumentet nuk janë nxjerrë nga e akuzuara dhe në prill 2010 ajo i ka kthyer biznesmenit 5 mijë euro. Në një periudhë të mëvonshme, më 17 prill 2010, përmes të njohurve të ish-punonjëses së Hipotekës janë kthyer edhe 5 mijë eurot e tjera, ndërkohë që biznesmeni ka bërë denoncim në polici në lidhje me këtë çështje.
Vendimi
Pas shqyrtimit të çështjes, gjykata ka vendosur: deklarimin fajtor të së pandehurës Vilma Nesturi për veprën penale të “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave qe ushtrojnë funksione publike”, dënimin e saj 1 vit burgim dhe 1 000 000 (nje milion) lekë gjobë. Ekzekutimi i dënimit me burgim të pezullohet duke u vënë e pandehura në një kohë prove për 2 vjet, duke mos kryer vepër tjetër penale dhe të mbaje kontakte me Shërbimin e Provës. Gjykata urdhëron të pandehurën Vilma Nesturi të mos frekuentojë vende të caktuara si ZVRPP Tiranë. Të pandehurës Vilma Nesturi i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë 1 (një)-vjeçare.
TRAZHGIM SOKOLAJ