Luarasi boton vargjet e shpëtuara në letra cigareje

Mihal Luarasi
Dramaturgu e regjisori, një libër me krijimtarinë e hershme.
Janë poezi e aforizma të shkruara që nga vitet e Liceut, në burg e ditëve të sotshme.
Janë mbledhur copëza-copëza. Fati i ruajti prej bastisjeve, diku në një fletore ngatërruar me librat e fëmijëve, në një partiturë, apo në dhe të huaj, ku mbetën prej viteve të rinisë. Ato më tragjiket i shkroi në germa milimetrike në letrat e duhanit, që u kurseu mushkërive. I nxitur nga i biri, regjisori dhe dramaturgu, Mihal Luarasi ka botuar, nën logon e shtëpisë botuese Plejad, një përmbledhje poezish e aforizmash, nën titullin Lirikat e mëkateve dhe aforizmat skiplandeze. Ndoshta nuk do ti kishte botuar kurrë, shumë i dinte të zhdukura, si ato të djegurat në shtëpinë e një të afërmi, që nuk e mbajti dot peshën e tyre, por i dogji. Por vjen një moment kur njeriu kthen kokën pas e mbledh copa-copa atë që ka mbetur. Këto janë vargje të mbetura nga humbjet e shpeshta në rrjedhë të jetës sime të gjatë, thotë Luarasi. E në fakt, për nga datimet ato dëshmojnë se janë të shpërndara në kohë. Ndonjë ka mbetur qysh nga vargëzimet e Liceut, ca të tjera nga vitet e Universitetit, të tjera në vitet e burgut, por ka edhe nga ato të pas viteve 90. Krahas krijimeve origjinale, janë edhe disa shqipërime nga Shekspiri, Petëfi e Haine.
Poezitë e para
Fillimi i të vargëzuarit nisi edhe tek unë në atë moshë kur nis tek shumica e të rinjve. Por, ndërsa të talentuarit e vazhdojnë poezinë, të tjerët ndahen prej saj, kurse ndonjë si unë e ndërpret dhe e rifillon në varësi të kohës dhe të gjendjeve të tij shpirtërore. Në Liceun Artistik të viteve 1948-1952, profesori i letërsisë, poeti Nexhat Haiku, nga
dëshira për të nxitur dhe zbuluar poetë të rinj, organizonte herë pas here konkursin e poezisë. Një nga këto konkurse e fitoi i nënshkruari me një vjershë për Stalinin. Edhe disa të tjera që u botuan në gazetën Rinia dhe Letrari i ri, ishin me të këtilla tema: për luftën e Koresë, për 4 shkurtin etj. Pas këtyre nuk botova më asgjë, shprehet Luarasi në një hyrje të shkurtër të botimit të tij. Nga çrrëfen vetë autori, duket se një ndikim të dukshëm në tërheqjen e tij drejt poezisë ka pasur profesori i tij Nexhat Hakiu, i cili në ato vite kur poezia ishte çoroditur nga patosi i ndërtimit të socializmit, guxoi të shkruante ca vargje me karakter intim nën frymën e Ali Asllanit e Poradecit, për të cilat dhe do të dënohej. Do të ishte pikërisht prof. Nexhati dhe profesori i muzikës, muzikologu i njohur Ramadan Sokoli, që do të bëheshin lexuesit e paktë të poezisë së tij. Dhe çuditërisht të gjithë i bashkonte, jo vetëm poezia, por edhe fati i përbashkët, qelia. Nga vitet e Liceut shpëtoi vetëm një vjershë imja, Lisi, falë Ramadanit që kompozoi mbi të një romancë, që këndohet edhe sot. Prej partiturës së tij, sopranoja Shqipe Zani kohët e fundit më nxori vargjet të cilat hyjnë në këtë vëllim, thotë Luarasi.
Poezitë e djegura
E nëse në vitet e rinisë së hershme u vetëcensurua, ndoshta sepse nuk mund të shkruante më për Stalinin dhe temat shabllone të kohës, më vonë, ato që shkruante duhej ti fshihte, ti varroste diku. Poezitë e shkruara në Hungari patën fatin të mbijetonin sepse mbetën atje, të tjerat i përpiu frika. Në vitet e Hungarisë, ku studioja për regjisurë teatri, 1952-58, shkrova disa vjershëza në hungarisht, të cilat gjithashtu i shpëtuan se ishin atje dhe i ktheva në shqip pas 90-s. Në revistën letrare të atjeshme Dunantul, më 1955, doli një poezi imja, por pas këshillës së ambasadorit tonë që nuk i pëlqeu përmbajtja, nuk botova më të tjera. Disa poezi të shkruara nga viti 1958 deri në mars 1973, kishin mbetur si variante në një fletore shkolle, strukur pa dashje, diku në shtëpi midis librave të fëmijëve dhe, për fat, nuk u gjet në kontrollin e imët të bibliotekës në korrikun e 1973-shit. Kur ndjeva se çrrugë po merrte fati im, në maj të atij viti të gjitha shkrimet e daktilografuara i pata mbledhur e shpënë për ti ruajtur në shtëpinë e një të afërmi tim, i cili, fatkeqësisht, pas 11 korrikut, nga frika i dogji.
Gjatë viteve në burgun e Ballshit u shkruan të tjera gjëra, shumica në mend, të cilat autori i hodhi në letër pas vitit 1985.
Pas 90-s, askush nuk mund ta ndalonte më të shkruante.
Aforizma në letër cigareje
Janë 258 aforizma, të cilat i ka mbështjellë nën titullin Aforizmat skiplandeze. Janë për njeriun, për fatin, për teatrin, për aktorët, për diktaturën, dashurinë, urrejtjen Gjithçka që e rrethon në atë vend që ai e quan Skiplandë dhe që nuk ëhstë gjë tjetër veçse Shqipëria. Pjesa më e madhe e tyre është shkruar në fleta cigareje, të tjerat janë bërë në një kohë të mëvonshme, kur nuk ish e domosdoshme të shkruheshin në fletë cigareje, thotë Mihal Luarasi, i cili pas festivalit të 11-të të RTSH-së u dënua me 8 vjet heqje lirie e pas vuajtjes së dënimit iu desh të punonte në punë të rënda.
Epigrame Enver Hoxhës
Tre epigrame kushtuar Enver Hoxhës mbyllin diptikun Lirikat e mëkateve dhe aforizmat skiplandeze. Duke qenë se gjatë viteve 70 pati disa përplasje me diktatorin, i cili do ta shënonte në listën e zezë, së pari për dramën Njollat e murrme të Fadil Paçramit, të cilën e vuri në teatrin e Korçës, e më pas për festivalin e 11-të, e ka parë të rrugës, ti qëndisë nja dy radhë: Ti vdiqe me pandehmën/se në Panteon hipe/ por Koha të ngriti vetëm/një monument prejkripe. Ky është njëri prej epigrameve shkruar për Hoxhën.
ALMA MILE