Kontrabanda me verë e kafe, arrestohet doganieri

Dogana e Vlorës
VLORE/ Prej një muaji në survejim. Sekuestrohet verë e kafe që kaluan pa doganë.
Arrestohen dhe tre të tjerë, sillnin mallin nga Italia.
Kalonte mallra kontrabandë, arrestohet inspektori i Doganës së Vlorës. Sektori Kundër Krimit Ekonomik në Policinë e Vlorës organizoi operacionin e koduar Dogana, duke çuar në pranga veç doganierit edhe tre të tjerë. Sipas Policisë, të arrestuarit janë shtetasit Eduard Veizaj, 41 vjeç, inspektor dogane në Doganën e Vlorës, dy vëllezërit Klevis Brahimaj, 19 vjeç, Artur Brahimaj 23 vjeç drejtues kamioni, si dhe Florian Brahimaj, 24 vjeç.
Arrestimi i tyre u krye pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë sjellë dy ditë më parë me traget dhe më pas kanë kaluar kontrabandë një sasi të konsiderueshme mallrash për të cilat paguhet akcizë. Mallrat e konfiskuar janë 96 shishe vere (të markës Soloperto Manduria), 20 pako kafe me nga 1 kg secila, 5 koli me nga 6 bidona si ato të ujit 1.5 L, si dhe një sasi medikamentesh të ndryshme. Sipas hetimeve të kryera, këto mallra fillimisht janë sjellë nëpërmjet pikës doganore portuale Vlorë të fshehura në një kamion i markës Volvo, me targa VL 0290 D. Ky mjet rezulton se është kontrolluar nga inspektori i Doganës Eduart Veizaj, por ai nuk ka marrë masa për konstatimin e mallrave.
Më tej, mallrat janë nxjerrë nga kamioni dhe janë transportuar me automjetin tip Mercedes-Benz, me targa VL 0565 D të drejtuar nga shtetasit Klevis Brahimaj dhe Florjan Brahimaj, të cilët pas ndjekjes së bërë nga shërbimet e Policisë janë kapur në flagrancë në afërsi të banesës së tyre. Nga kontrolli i kryer në banesën e këtyre shtetasve janë gjetur dhe sekuestruar edhe një tjetër sasi vere e konsiderueshme të markave të ndryshme ( Brunelo di Montalcino dhe Barolo) të papajisura me pullën fiskale, e cila dyshohet se është kontrabandë. Nga hetimet e kryera rezultoi se malli që sillej kontrabandë shitej nga ana e dy vëllezërve dhe shoferit të kamionit. Ky i fundit e siguronte mallin në Itali dhe e kalonte pa paguar taksat përkatëse. Policia e Vlorës deklaroi se materialet ia referoi Prokurorisë për veprat penale kontrabandë me mallra që paguhet akcizë, tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë dhe shpërdorimi i detyrës nga inspektori i Doganës. Mësohet se policia po e mbante në survejim prej rreth një muaji drejtuesin e kamionit që i kalonte mallrat kontrabandë. Dyshohet se doganieri merrte ryshfet për kalimin e mallrave, por nuk përjashtohet as pista se mallrat mund të kalonin për shkak të neglizhencës së tij në punë.
Të arrestuar
Eduard Veizaj,
41 vjeç,
inspektor në
Doganën e VlorësKlevis Brahimaj,
19 vjeçArtur Brahimaj,
23 vjeç,
drejtues kamioniFlorian Brahimaj,
24 vjeç
VLORE/ QEMAL BIRAKU