Ekzekutohet me kallash gjatë darkës 20-vjeçari

Makina ku mbeti i vrarë Fation Bani në Vlorë
ELBASAN/ I riu nga qyteti po darkonte me shokë në fshatin Bujqës. Policia, në kërkim të vrasësit.
Donald Lamçja u thirr jashtë lokalit nga autori, vritet me kallash.
Një breshëri automatiku i merr jetën 20-vjeçarit elbasanas. Donald Lamçja, djalë i vetëm, u ekzekutua në orët e para të ditës së djeshme në një lokal në fshatin Bujqës, rreth 5 km larg qytetit të Elbasanit. Policia e Elbasanit bëri të ditur se ngjarja ndodhi ndërsa i riu darkonte në një lokal me rreth 6 persona të tjerë, shokë të tij. Viktima, i cili kishte qenë më parë emigrant në Itali, ishte organizuar me grupin e shokëve për të ngrënë darkë në një lokal që frekuentohej prej tyre, në të dalë të Elbasanit. Në një deklaratë për shtyp, Policia e qarkut bën të ditur se vrasja e të riut, banor i lagjes “Emin Matraxhiu”, ka ndodhur në rrethana ende misterioze, ndonëse deklaron se ka identifikuar autorin dhe po punon për kapjen e tij. Duke u referuar nga mbiemri i viktimës, policia dyshoi se vrasja e 20-vjeçarit mund të ketë lidhje me vrasjen e ndodhur një muaj më parë kur u vra në derë të shtëpisë së tij pronari i diskos Almir Cani, nga dy vëllezërit Lamçja, të cilët aktualisht ndodhen në burg. Por, kjo pistë u hodh poshtë pasi viktima nuk ka lidhje farefisnore me dy vëllezërit. Mësohet se 20-vjeçari ka qenë duke darkuar që në orët e vona të së shtunës me shokët e tij dhe rreth orës 02:00 të mëngjesit të së dielës ai është lajmëruar se dikush po e kërkonte jashtë lokalit. I pashqetësuar, siç kanë dëshmuar shokët e tij, Lamçja ka dalë jashtë ku është përplasur me autorin. Mes tyre dyshohet se ka pasur njohje të mëparshme, pasi ata kanë debatuar dhe pas fjalëve të para autori ka qëlluar me kallashnikov. Duket se gjithçka ka qenë e planifikuar, pasi autori jo vetëm e ka ditur vendndodhjen e 20-vjeçarit, por ka qenë edhe i armatosur. Ai ka qëlluar ndaj të riut me breshëri automatiku, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Edhe pse shokët e tij janë përpjekur që t’i japin ndihmën e parë, si edhe ta transportojnë për në spital, 20-vjeçari ka vdekur në vend. Policia ende nuk ka zbardhur asnjë motiv të vrasjes së Donald Lamçes, pasi sipas tyre ky i fundit ka qenë pa precedentë penalë në qytetin e Elbasanit. Paraprakisht, kjo e fundit deklaron se debati mes autorit dhe viktimës mund të ketë lindur pas një konflikti të mëparshëm mes tyre. Për të identifikuar autorin, i cili është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, policia ka shoqëruar në komisariat më shumë se 20 persona dhe tashmë mësohet se është në ndjekje të autorit. Ndërsa zëdhënësja e Policisë, Valbona Begu, deklaron se deri më tani nuk ka një pistë të saktë ku edhe të hetojë për vrasjen e 20-vjeçarit, por deklaron se janë në gjurmë të autorit të vrasjes.
Vrasja e 20-vjeçarit është krimi i dytë që ndodh në Elbasan brenda 30 ditësh, pas vrasjes së pronarit të diskos “Tekila” shumë pranë gjimnazit të qytetit. Për vrasjen e Almir Canit u arrestuan dy vëllezër dhe një person i tretë, të akuzuar se qëlluan ndaj pronarit për shkak të një shume parash, për të cilën ishte krijuar mes tyre një mosmarrëveshje. ELBASAN/ MIRANDA SADIKU
Vrasja e Fation Banit, policia merr dëshminë e zjarrfikësve
Fation Bani
VLORE – Policia e Vlorës ka kërkuar ndërmjetësinë e familjarëve të autorit të vrasjes së Fation Banit për të arritur vetëdorëzimin e tij. Që pas krimit të së shtunës mbrëma, 22-vjeçari Juxhin Dauti është në kërkim. Policia ka kontrolluar disa banesa të shokëve të autorit, si dhe të afërmve të tij, për të verifikuar nëse fshihet aty, por nuk kanë gjetur ndonjë shenjë të tij. Policia ka shoqëruar disa persona në Komisariat për t’i marrë në pyetje mbi ngjarjen, persona të cilët mendohet të kenë dijeni dhe të kenë parë ngjarjen. Dëshmitarë kyç janë cilësuar dhe punonjësit zjarrfikës dhe ata të policisë që gjetën të parët 31-vjeçarin e plagosur brenda makinës së tij. Ata jo vetëm bënë përcjelljen me urgjencë për në spital të Fation Banit, por edhe dëgjuan fjalët e fundit me të lënduarin rrugës për në spital, duke marrë dhe dëshminë e tyre se kush e kishte qëlluar me tre plumba pistolete. Nga këto të dhëna rezulton se viktima me autorin kanë qenë së bashku thuajse gjithë ditën në disa lokale brenda qytetit. Pasi kanë dalë nga njëri prej lokaleve afër zjarrfikëses, rreth orës 19:30 të së shtunës, ata kanë nisur papritur të debatojnë mes tyre. Në gjaknxehtësi e sipër Dauti ka qëlluar shokun e tij tri herë me pistoletë, në kohën që Bani sapo kishte nisur makinën për t’u larguar. Prej atij momenti, 22-vjeçari është larguar në drejtim të panjohur për policinë. Sipas hetimeve, të dy personat dyshohet të kenë konsumuar gjatë ditës pije alkoolike, nga e cila mund të jenë shkaktuar debatet mes shokëve. Të dy personat kanë pasur shoqëri prej vitesh si dhe nuk kanë pasur asnjë mosmarrëveshje mes tyre, por gjithçka ka ndodhur brenda pak minutash. q.b
