Mjekët, llogari për vdekjen pas lindjes
SARANDE - Specialistë të Ministrisë së Shëndetësisë mbërritën të premten në Sarandë për të analizuar të gjithë etapat e shtrimit e deri në vdekjen e 25-vjeçares Enkeleda Osmani një javë më parë. Ata kanë shqyrtuar të gjithë elementët e kartelës mjekësore si: shtrimi, kurimi, operacioni i lindjes, gjendja klinike pas operacionit, konsultat, analizat e kryera deri tek dhënia e ndihmës reanimatore në çastin e vdekjes së papritur klinike të nënës së re, 8 ditë pasi lindi fëmijën. Sipas drejtorit të spitalit të Sarandës, në këtë analizë të organizuar nga Drejtoria e Shëndetit Publik Sarandë në prezencë edhe të ekipit të ardhur nga Ministria e Shëndetësisë, drejtuar nga drejtori i planifikimit spitalor, Fedor Kallajxhi dhe specialistes reanimatore, Adriana Misja, u analizuan klinikisht veprimet e kryera. Ato nisin që nga paraqitja e të ndjerës në urgjencë për arsye të frakturës deri në momentin e vdekjes së saj për shkak të një tromboze. Nga analiza doli se nëse mjekësia ligjore do të konkludojë për të njëjtën diagnozë, vdekja e gruas do të cilësohet e pamundur. Gjatë analizës, specialistët e Ministrisë së Shëndetësisë pohuan se ka nevojë për përmirësimin e anës organizative dokumentare të punës dhe për përmirësimin e disa kushteve të nevojshme për cilësinë e shërbimit në spital. sh.d