E Diel, 1 Nëntor 2026

Komandot: Lamtumirë Irak

 

afrim imaj

“Ne ishim në Irak!”. Tashmë, misioni i vështirë i 1338 komandove shqiptarë, që shërbyen në zonën më të nxehtë të globit, mbetet për t’iu destinuar kujtesës. Tërheqja e trupave nga koalicioni “Liria e Irakut” është celebruar pak ditë më parë në një ceremoni ushtarake në bazën amerikane të Mosulit, ku ishte i pranishëm kreu i Mbrojtjes Gazmend Oketa dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjeneral Maksim Malaj. Me rastin e përfundimit me sukses të misionit paqeruajtës “Liria e Irakut” është zhvilluar dje në sheshin “Skënderbej” një demonstrim festiv. Për pesë vjet me radhë, 12 kontingjente shqiptare kanë marrë pjesë në operacionin “Lira e Irakut”, duke iu bashkangjitur koalicionit ndërkombëtar të luftës kundër terrorizmit. Rikthimi këto ditë i 218 komandove të kontingjentit të fundit, shënon epilogun e misionit të ushtarakëve shqiptar në Irak.
Ceremonia
“Me kontributin në Irak, komandot lartësuan emrin e Shqipërisë dhe vlerat tona kombëtare”. Me këtë vlerësim të kreut të Shtabit të Përgjithshëm gjeneral Maksim Malaj, u çel dje në mesditë ceremonia festive me rastin e përfundimit me sukses të misionit shqiptar në koalicionin ndërkombëtar “Liria e Irakut”. Në këtë ceremoni merrnin pjesë kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, Kryeministri Sali Berisha, ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa, ambasadori i SHBA-së në Tiranë Xhon Uidhers II, deputetë, ambasadorë etj. Fillimisht trupat paqeruajtëse, pjesëmarrëse në misionin “Liria e Irakut” prej pesë vjetësh (2003-2008), bënë parakalimin festiv nga Qendra Kulturore e FA përgjatë sheshit “Skënderbej” dhe më pas u rreshtuan përpara monumentit të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. “Pikërisht nga sheshi “Skënderbej”, tha në përshëndetjen e tij shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjeneral Maksim Malaj, para pesë vjetësh ne nisëm kontingjentin e parë për t’u bërë pjesë e trupave të vendeve të koalicionit të madh kundër terrorizmit ndërkombëtar; për t’u bërë pjesë e sfidës së madhe, me të cilën u përball komuniteti i vendeve demokratike e progresive në këtë luftë; për t’u bërë pjesë e vullnetit dhe e forcës për t’i kthyer lirinë popullit irakian”. Kontributin e komandove shqiptare në Irak gjeneral Malaj e cilësoi një investim madhor në rrugën drejt integrimit të plotë në NATO. Në vazhdim, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen e qeverisë për suksesin e arritur në kryerjen me nder të misionit fisnik në shërbim të paqes dhe të lirisë së popullit mik irakian. Trupat paqeruajtëse i përshëndeti edhe ambasadori i SHBA-së në Tiranë Xhon Uidhers II.
Misioni
Ka qenë prilli i vitit 2003 kur në radhët e trupave të operacionit “Liria e Irakut” janë rreshtuar 71 komandot shqiptarë. Qysh nga kontingjenti i parë e deri tani janë shkëmbyer aty 12 kontingjente me 1338 pjesëmarrës. Të angazhuara në koalicionin e luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar, trupat shqiptare kanë shërbyer në zonën e Mosulit dhe atë të Bagdadit.
Dy janë bazat kryesore ku ka qenë i përqendruar misioni i tyre në Irak. Ajo e Marezës në Mosul dhe baza “Victoria” në Bagdad. Përveç sigurisë së këtyre bazave, trupat shqiptare kanë kryer patrullime në qytet dhe shërbime në pikat e kontrollit të ngritura për shmangien e depërtimeve të elementëve terrorist.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›