Festat, gjysmë pule dhe birra për të burgosurit
Fatos Mahmutaj
Sport, muzikë, argë-tim, gjysmë pule dhe nga një shishe birrë, jo më shumë 250 mililitra. Kjo është gjithçka që kanë ofruar burgjet për të dënuarit që do të kalojnë pas hekurave të qelive natën e ndërrimit të viteve. Ndërsa ata që pretendojnë më shumë se kaq mund të marrin nga familjet gjelin e detit dhe ëmbëlsirat tradicionale, ushqime, të cilat nuk do të censurohen nga autoritetet e burgjeve. Po kështu, të gjithë të burgosurve iu është lejuar një takim i shkurtër shtesë me familjarët si dhe e drejta për të kryer telefonata nga kabinat brenda institucioneve, për t'iu uruar miqve dhe familjarëve festën e Vitit të Ri. Personat më me fat do të jenë ata që kanë arritur të përfitojnë leje shpërblyese për të kaluar pranë familjeve festën e Vitit të Ri 2009. Institucioni që është treguar më "dorëlëshuar" në këtë drejtim është burgu i sigurisë së ulët 325. Plot 30 të burgosur të këtij institucioni, burra dhe gra, kanë përfituar deri në një javë leje shpërblim për të kaluar pranë familjarëve të tyre festën e ndërrimit të viteve. Por ajo që pritet më së tepërmi në këtë burg është falja tradicionale që mund të dekretojë këto ditë Presidenti i Republikës. E kontaktuar me telefon drejtoresha e këtij institucioni, pohoi se edhe ata të burgosur që do të presin në qeli festën, do ta kalojnë atë në mënyrën më të mirë të mundshme. Sipas saj është parashikuar të organizohen aktivitete të ndryshme, përfshi këtu aktivitete me fëmijët e grave të burgosura si dhe të stafit. Fëmijët e të dënuarave janë sjellë në ambientet e burgut nga shtëpitë e fëmijës ku jetojnë si dhe organizatat e ndryshme fetare e bamirëse. Po kështu drejtori i burgut të Peqinit pohoi dje se veç aktiviteteve të shumta që janë organizuar ditët e fundit në këtë institucion, ka vendosur të japë 20 leje shpërblyese. Sipas tij priten edhe të tjera aktivitete të organizuara nga bashkia e Peqinit dhe skuadra e futbollit e qytetit. Më tej ai tha se autoritetet e burgut kishin lejuar takime shtesë të të dënuarve me familjarët si dhe dërgimin në qeli të ushqimeve tradicionale të kësaj feste. Ndërsa drejtori i burgut të Vaqarit pohoi se institucioni i tij ka lejuar 15 të burgosur për të kaluar natën e Vitit të Ri pranë familjeve, krahas atyre të burgosurve, të cilëve radhën për leje ua jepte lista që kanë përpiluar vetë të burgosurit.