E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërblimi, policët e burgjeve: Duam rrogën e 13-të

 

TIRANE - Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve u jep gardianëve nga 9 mijë lekë shpërblim për festën e Vitit të Ri. Shpërblimi që iu është dhënë uniformave blu të burgjeve pak ditë më parë ka sjellë reagimin e tyre, të cilët kanë pretenduar rrogën e 13-të për shkak të rezultateve të mira në punë. Mjaft prej policëve të burgjeve, mesditën e djeshme janë shprehur të pakënaqur nga sasia e shpërblimit që kanë marrë, duke pohuar se kjo shumë ishte e pamjaftueshme për të blerë gjelat e detit apo ushqime të tjera tradicionale, në raport kjo edhe me çmimet e "kripura" të këtij fundviti, stimuluar edhe nga kriza ekonomike globale. Duke shpjeguar arsyet, pse kërkonin një sasi më të madhe shpërblimi me rastin festave, gardianët pohojnë se në përgjithësi burgjet kanë shënuar rezultate të mira në punë gjatë vitit që po mbyllet. Sipas tyre situata në burgje ka qenë më e qetë në krahasim me vitet më parë, ndërsa incidentet apo ngjarjet e rënda kanë qenë të pakta dhe pa pasoja. Më tej policët pohojnë se disa prej tyre kanë paraqitur ankesë autoriteteve të burgjeve në mënyrë individuale, pas të cilave presin të përfitojnë ndonjë shtesë. Ndërkohë, burime nga burgjet pohojnë se veç shpërblimit dhe rrogave, punonjësve të institucioneve të qelive iu janë paguar edhe pagesat e ndryshme suplementare, shpeshherë të prapambetura në mënyrë që punonjësit e tyre të përballojnë shpenzimet e festës. Sipas tyre, edhe Policia e Shtetit ka dhënë të njëjtin shpërblim për efektivët e vet, me përjashtim të disa rasteve kur institucione të ndryshme kanë shfrytëzuar fonde rezervë.                                                                                     fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›