E Diel, 1 Nëntor 2026

Vazhdon odiseja e kartave, PS akuzon qeverinë për sabotim të procesit

Politika vazhdon të mbajë nën presion shqiptarët me procesin e kartave të identitetit.  Qeveria deklaron me të madhe se procesi i aplikimit për letërnjoftime po ecën normalisht edhe në bazë të vendimit për uljen e çmimit në 200 lekë. Ndërsa opozita e majtë, shprehet e pakënaqur nga ky proces, i cili sipas saj nuk po gjen funksionimin e duhur. Nënsekretari për Çështjet Ligjore në PS, Damian Gjiknuri, deklaroi dje gjatë një konference për shtyp se PS po e ndjek me shumë vëmendje dhe shqetësim procesin e pajisjes së shtetasve me letërnjoftime. Sipas tij, vendimet e reja të qeverisë për pajisjen e shtetasve me letërnjoftime nuk po gjejnë zbatim nga strukturat lokale dhe në shërbimin  postar. Vendimi nr. 419 datë 30 prill 2009 që redukton tarifën në 200 lekë, jo vetëm që  filloi të zbatohet vetëm sot duke humbur 6 ditë të çmuara, por nuk po zbatohet siç duhet, u shpreh Gjiknuri, duke vijuar se në shumë agjenci postare shtetasit pa pasaportë, që nuk e kanë emrin në listat e Ministrisë së Brendshme nuk po pajisen me kupon kundrejt tarifës 200 lekë, me pretekstin se duhet të dorëzojnë një vërtetim nga policia se nuk disponojnë një të tillë. Gjiknuri ka pohuar se ky fenomen është konstatuar në filialet e postave të njësive 1, 2, 4, 5, 7, 9, 11 në Tiranë. E theksojmë që kjo kërkesë është në kundërshtim me vendimin në fjalë pasi shtetasi duhet vetëm të nënshkruajë formularin përkatës që nuk disponon pasaportë. Një pengesë e tillë artificiale është një përpjekje tinzare për të mos pajisur shtetasit me kuponë për aplikim, shtoi Gjiknuri, sipas të cilit jo në të gjitha njësitë posta shqiptare po aplikon tarifat e reja për kategoritë përfituese, duke sjellë pengesa serioze në proces. Gjiknuri ka shprehur gjithashtu shqetësimin e PS, sipas të cilit akoma në 38 njësi vendore nuk janë hapur zyra aplikimi, duke rrezikuar seriozisht që mbi 25 mijë zgjedhës në këto njësi të mos kenë mundësi të pajisen me dokumentin e kërkuar. Gjithashtu, sipas Gjiknurit, në shumë njësi transporti falas i premtuar nga Kryeministri nuk po funksionon duke privuar shumë njerëz nga aplikimi për shkak të distancave. Nënsekretari për Çështjet Ligjore në PS, Damian Gjiknuri ka denoncuar gjithashtu heshtjen e Ministrisë së Brendshme në lidhje me kërkesat e anëtarëve të opozitës në komisionin Ad Hoc, sidomos për fatin e pasaportave të vjetra që ndodhen akoma në magazinat e Ministrisë së Brendshme dhe procedurat që po ndiqen me to. Çdo heshtje në këtë drejtim hedh hije të forta dyshimi në lidhje më shpërndarjen e tyre në mënyrë jo ligjore për efekte votimi, ka theksuar Gjiknuri, duke i kujtuar Ministrisë së Brendshme, se në pjesën më të madhe të njësive vendore vendimi nr. 366 për personat që përfitojnë ndihmë ekonomike nuk po zbatohet dhe PS, ende ka asnjë informacion publik në lidhje me to. I njëjti fenomen, sipas Gjiknurit po ndodh edhe me drejtoritë e arsimit në rrethe, të cilat nuk po blejnë kuponë sipas vendimit në fjalë. Gjiknuri ka konsideruar se Ministria e Brendshme duhet të ushtrojë kujdesin e duhur më autoritetin që i jep ligji, për të sqaruar dhe inkurajuar njësitë vendore për zbatimin e vendimit, si dhe ti japë zgjidhje pensionistëve që marrin pensionin në bankë pasi vendimi 266 nuk i mbulon. Ndërkaq, Gjiknuri u ka bërë thirrje edhe qytetarëve pa pasaportë që të aplikojnë sa më parë në të gjithë vendin dhe të mos dekurajohen nga pengesat e zyrave postare, duke denoncuar në çdo rast pengesat. Nga ana tjetër, Gjiknuri ka kërkuar nga Ministria e Brendshme që të deklarojë zyrtarisht dhe publikisht se çdo qytetar që nuk ka emrin në listat e MB duhet të aplikojë duke nënshkruar një deklaratë në postë, si dhe të marrë masa që administrata e postës të mos keqinterpretojë vendimin sipas orekseve të drejtuesve të saj. Sipas Gjiknurit, PS është seriozisht e angazhuar që ky proces të përfundojë një orë e më parë, por nëse situata në terren nuk përmirësohet dukshëm në ditët në vijim, PS do të rishikojë qëndrimin e saj politik në lidhje me zgjedhjet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›