Korçë, grabitësit e banesave bëjnë namin, 3 vjedhje për 48 orë
Tre vjedhje banesash regjistrohen në 48 orët e fundit në rrethin e Korçës. Në asnjë rast policia nuk ka autor për ngjarjen, ndërsa kanë nisur hetimet. Vjedhja e parë është regjistruar në qytetin e Korçës në banesën e B. Mazes, nga e cila janë vjedhur disa sende me vlerë prej ari. Ndonëse dëmi nuk është i madh ngjarja ka tronditur anëtarët e familjes së goditur nga krimi i vjedhjes.
Hajdutët kanë hyrë në shtëpinë private në lagjen 4 nëpërmjet një dritareje, ndërsa dyshohet të kenë qenë dy persona. Vjedhja tjetër është regjistruar gjatë mbrëmjes të të martës në lagjen 17 të qytetit. Shtëpia e radhës ka qenë një apartament në katin e parë, ku vjedhësit kanë mundur të rrëmbejnë vetëm disa ora dore të të zotit të shtëpisë pa mundur të gjejnë të holla në të. Vjedhja me thyerje edhe në këtë rast nuk ka autor, ndonëse policia pret të identifikojë autorësinë e këtyre vjedhjeve. Ndërkaq vjedhja e tretë ka ndodhur në fshatin Floq rreth 17 kilometra larg Korçës. Këtë herë shënjestër e këtij akti ka qenë shtëpia e Berti Çelës banor i këtij fshati i cili nuk ka patur askënd në shtëpi për arsye të një feste familjare tek një i afërm po në këtë fshat. Hajdutët kanë depërtuar në shtëpi duke vjedhur disa vegla bujqësore vlera e të cilave kalon të 50 mijë lekët.