E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat, kërcënon kunatën me sëpatë, nën hetim 34 vjeçari

Nuk pranon ti japë shpjegime kunatit në lidhje me lëvizjet e saj jashtë shtëpisë, në mungesë të bashkëshortit, por bie pre e kërcënimeve për jetën, nga ana e tij. Një 25- vjeçare, banore e fshatit Gorican, ka kërkuar ndihmën e policisë, pasi sipas denoncimit të saj, kunati e kishte kërcënuar me jetën, duke drejtuar një mjet të ftohtë, sëpatë, gjatë një grindjeje mes tyre. Burime nga Komisariati i Policisë Berat bëjnë me dije se 25- vjeçarja me inicialet J. B., mësohet të ketë denoncuar pasditen e djeshme kunatin e saj, Saimir Baho, duke e akuzuar këtë të fundit për kanosje për jetën me mjet të ftohtë. Nusja e re mësohet të ketë mbërritur në polici pasditen e djeshme, ku u ka shpjeguar oficerëve të policisë se ishte kërcënuar nga kunati, Baho. Grindjet mes nuses të re dhe kunatit të saj mësohet se kishin ditë që kishin lindur, pasi sipas denoncimit, 34- vjeçari ndërhynte në jetën e saj për çdo lëvizje jashtë shtëpisë. 25- vjeçarja mësohet se jetonte me prindërit e bashkëshortit dhe kunatin, pas emigrimit të burrit të saj, drejt Greqisë. Në mungesë të këtij të fundit, në familje mësohet të ketë qenë kunati, i cili i kërkonte shpjegime nuses së sapomartuar në lidhje me çdo lëvizje të saj, çka mësohet se është bërë shkak për grindjet mes tyre. Një grindje e tillë mësohet të ketë ndodhur dhe ditën e djeshme në qendër të fshatit, në vendin e quajtur Goriçan Pasha. Nusja mësohet se kishte dalë nga banesa për të shkuar në pazarin e fshatit, ku dhe është ndeshur me kuantin e saj. Ky i fundit i ka kërkuar shpjegime kunatës se përse kishte dalë nga banesa pa lejen e tij, çka ka shkaktuar zemërimin e nuses. Në grindje e sipër, 25- vjeçarja e ka kundërshtuar kunatin e saj për sjelljet e tij, ndërkohë që ky i fundit sipas denoncimit e ka kërcënuar për jetën me një sëpatë që mbante me vete. Ekspertët e policisë kanë mbërritur menjëherë në fshatin Goriçan, komuna Kutalli, e rrethit të Beratit ku ka marrë në pyetje 34- vjeçarin dhe familjarët Baho. I akuzuari nuk ka pranuar faktin se kishte kërcënuar kunatën e tij, por gjatë marrjes në pyetje ka pohuar se në mungesë të të vëllait, kujdesej për të. Burime të policisë bëjnë me dije se Baho do të ndiqet në gjendje të lirë për veprën penale të kanosjes, ndërkohë që hetimet e kësaj çështjeje mbërritën pranë organit të akuzës.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›