E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, e përplas makina në trotuar, vdes kalimtari

Ende pa u përuruar rikonstruksioni i rrugës së shumëpërfolur Transballkanike në qytetin e Vlorës, shënohet viktima e parë. Një shtetas rreth 65 vjeç, ende i paidentifikuar, ka humbur jetën, teksa ka tentuar të kalojë këtë rrugë pranë stacionit të trenit. Ka qenë ora rreth 9:00 e mëngjesit të djeshëm, kur një makinë e tonazhit të rëndë tip triler, ka qenë duke kaluar në këtë rrugë në drejtim të portit të Skelës. Pikërisht në kryqëzimin e stacionit të trenit, përpara tij ka dalë 65- vjeçari. Ka qenë drejtuesi i makinës, 41- vjeçari Jetnor Pasha nga qyteti i Patosit, që ka tentuar të frenojë dhe të shmangë aksidentin, por ka qenë e pamundur sepse distanca midis tyre ka qenë e vogël, ndërkohë që rruga ishte bërë edhe e rrëshqitshme për shkak të një shiu të imtë që sapo kishte nisur. Në këto kushte, makina e ka përplasur 65- vjeçarin në trotuar, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë uniformat blu të sektorit të qarkullimit rrugor për të bërë ekspertizën, ndërkohë që makina me targa FR 12 49 C ka bllokuar për minuta të tërë kalimin e mjeteve të tjera në këtë segment. Kjo rrugë edhe herë të tjera ka qenë skenë e aksidenteve të tilla midis mjeteve të ndryshme, por edhe ndaj kalimtarëve, megjithëse pa pasoja vdekjeje. Ajo është bërë shumë e rrezikshme për kalimtarët që kërkojnë të kalojnë nga njëra anë e saj në tjetrën, ndërkohë që makinat kalojnë pa asnjë zbatim të rregullave të qarkullimit. Duke qenë se ajo ende nuk ka përfunduar, është edhe jashtë kontrollit të policëve rrugor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›