Berat, komuna Vërtop, tre muaj e izoluar
BERAT- Prej tre muajsh, 1000 familje të komunës Vërtop janë të izoluar me qendrën e Beratit. Jeta për banorët e kësaj zone është bërë gjithnjë e më e vështirë pasi iu mungojnë elementët bazë jetikë për shkak të bllokimit të rrugës nga rrëshqitja e dherave. Ushqimi, shkollat, ilaçet etj, janë disa prej problematikave që ngrenë banorët e kësaj zone të thellë. Sipas tyre, shumë njerëz të sëmurë kanë luftuar me vdekjen në shtëpitë e tyre pasi për ti transportuar për në spital me kafshë apo barela duhen disa orë. Ndërsa rruga e gjatë mund t’iu rrezikojë atyre jetën. Rastet më emergjente janë edhe lindjet e nënave. Jo pak por 10 prej tyre kanë lindur në shtëpi në kushte mjaft primitive duke rrezikuar kështu jo vetëm jetën e tyre, por edhe të fëmijës së porsalindur.
Në mungesë të furgonave apo autobusit, fëmijët e fshatrave të kësaj komune detyrohen të ecin rreth dy orë në këmbë në ditë për të shkuar në shkollë. Burime nga komuna bënë të ditur se gjendja është tejet e rënduar pasi rrugët e kësaj zonë ndodhen të shembura prej më se tre muajsh nga shirat e stinës së dimrit. Komuna Vërtop ishte ndër më të dëmtuarat në këtë qark, pasi rrugët e saj u shkatërruan plotësisht duke e bërë të pamundur qarkullimin me mjete. Kryetari i kësaj komune Flamur Balliu u shpreh se “kemi kërkuar ndihmën e Ministrisë së Brendshme, prefekturës, qarkut, etj, për të na ardhur në ndihmë për të zhbllokuar situatën. Por gjendja është ajo që ka qenë edhe tre muaj më parë. Në këto zona, duke përfshirë edhe fshatrat turistikë si Kapinova, Lybesha, Tomorri etj, banorët kanë probleme për sa i përket furnizimit me ushqime dhe kujdesin shëndetësor. Edhe nxënësit udhëtojnë nga dy orë në këmbë për të shkuar në shkollë”. Burime nga prefektura bënë të ditur se pas këtyre ngjarjeve dhe ndihmës që kanë kërkuar drejtuesit e komunës, janë angazhuar forcat speciale me mjete të rënda nga Ministria e Mbrojtjes. Ato kanë pritur 5 ditë për të filluar punimet për ndërtimin e një aksi të ri rrugor. Por kur drejtuesit e kësaj brigade speciale kanë kërkuar projektin nga komuna për të filluar punimet, komuna nuk kishte asnjë lloj projekti. Më pas brigada është larguar. Sipas kreut të komunës, vetëm për një devijim prej 4 kilometra rrugë mbeten të paralizuar 1000 familje të fshatrave të kësaj komune. d.xh