E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nobelisti Orhan Pamuk vjen në Shqipëri



alma mile

çmimi “Nobel” për Letërsinë 2006 vjen në Shqipëri. Shkrimtari turk, Orhan Pamuk, një ndër zërat më të spikatur për momentin në letërsinë botërore do të jetë në Shqipëri në datën 17 maj. I njohur nga lexuesi shqiptar përmes disa romaneve të tij, të cilat kanë ardhur në shqip përmes shtëpisë botuese “Skanderbeg Books”, ai vjen tanimë ta takojë atë personalisht. Ardhja e tij në Shqipëri përkon edhe me botimin e librit “Stambolli, kujtime dhe qyteti”. Një libër autobiografik, ku autori rrëfen fëmijërinë e tij, rininë e hershme e mes të tjerash dhe një histori dashurie me një vajzë me origjinë shqiptare, e cila përfundoi shumë shpejt, për shkak të ndërhyrjes së prindërve të vajzës. Një histori që shtrihet në rreth 20 faqe të romanit të tij. Përgjatë tri ditëve të qëndrimit në Shqipëri, Pamuk do të zhvillojë takime me krerët e shtetit shqiptar, me shkrimtarë e lexues. Por dëshira më e madhe e shkrimtarit është të njihet me Shqipërinë. Mësohet se në kalendarin e aktiviteteve që do të zhvillohen me rastin e ardhjes së tij, parashikohet edhe një vizitë në qytetin e Beratit, ku ai ka kërkuar me insistim që të shkojë. E ndërkohë autoritetet lokale të qytetit, i cili tanimë ndodhet nën mbrojtjen e UNESCO-s, kanë filluar përgatitjet për të pritur sa më mirë novelistin. I pari libër që e prezantoi Pamukun në Shqipëri ishte romani “Unë jam e kuqja”, i cili u hodh në treg gati në të njëjtën kohë me ndarjen e çmimeve “Nobel” nga Akademia Suedeze. Duket se botuesja dhe shkrimtarja Flutura Açka e nuhaste fitoren dhe këtij lajmi iu kundërpërgjigj menjëherë me një roman. E siç ka bërë në të vërtetë edhe me nobelistë të tjerë. Pas romanit “Unë jam e kuqja”, i cili të fut në labirintet e një bote tjetër, me shije misteri, “Skanderbeg boks” solli në shqip të tjerë romane të tij si “Bora”, “Baulja e babait”, “Kështjella e bardhë”, etj. E ndërkaq dy libra të tjerë pritet të dalin. Madje për ta kurioziteti është edhe më i madh, pasi në ta përmenden edhe shqiptarët e Shqipëria.
Shkrimtari
I lindur në 7 qershor 1952 në Stamboll, Pamuk është sot një nga shkrimtarët më të njohur të vendit të tij, i përkthyer në 34 gjuhë. Në fëmijëri ëndërronte të bëhej piktor, por studioi arkitekturë. Pas kësaj iu dedikua letërsisë dhe në vitin 1977 u diplomua për gazetari në Universitetin e Stambollit, ndonëse asnjëherë nuk e ushtroi profesionin e tij. Mes viteve 1985 dhe 1988 u vendos në Nju Jork ku punoi si profesor i jashtëm në Universitetin Columbia, deri sa u kthye në qytetin e tij të lindjes. Romani i tij i parë u botua në 1982, ndonëse iu desh të priste tre vjet që vepra e tij të njihej në nivel ndërkombëtar në sajë të romanit “Astrologu dhe Sulltani”. Por, njohja e tij u përcaktua në 1998 me romanin “Unë jam e kuqja”, një libër që i vendos ngjarjet në Stamboll në shekullin XVI, kur në vend sundonte Sulltan Murati III. Vepra e tij e fundit, një libër për Stambollin, është një autobiografi me të cilin ai dëshmoi plotësisht talentin e tij në letërsi: të shkruash mbi qytetin ku ke jetuar që kur ke lindur, vendosur mbi një memorie perfekte,mbi mendime dhe filozofi, ky është libri “Stambolli, Qyteti dhe kujtime”. “Ajo që më ka përcaktuar si karakter ka qenë lidhja me shtëpinë time, me rrugën time, me peizazhin tim, me qytetin tim”, do të thoshte dikur shkrimtari. Ai është konsideruar nga kritika i barazvlefshëm me autorë të tillë të njohur si argjentinasi Ernesto Sabato apo italiani Alberto Calvino. Mes çmimeve që ka marrë mund të përmendim: “Libri më i mirë i huaj” në Francë (2002), “Grinzane Cavour” në Itali (2002), “Internacional IMPAC” në Dublín (2003), “Médicis de Francia” (2005) dhe “çmimin e Paqes” nga Botuesit gjermanë (2005). Pak vite më parë një gjykatë e Stambollit arshivoi një çështje kundër Pamuk mbi komentet që ai kishte deklaruar mbi vdekjen e kurdëve dhe armenëve të botuar në një gazetë zvicerane “Tages Anzeiger”. Ky rast provokoi një valë protestash ndërkombëtare kur shkrimtarët firmosën një deklaratë në mbështetje të Pamuk, duke akuzuar Qeverinë turke për shkelje të të drejtave të njeriut. Por ky intelektual rolin e tij politik e shikon si një dënim. Gjithnjë ka thënë se është “një shkrimtar që e konsideron politikën si një kompromis të pashmangshëm, por që nuk i pëlqen”, “Dua të jem një shkrimtar i lirë”, ka thënë më shumë se në një rast.

Të shqipëruar

“Unë jam e kuqja” (2006)
“Bora” (2007)
“Baulja a babait” (2007)
“Kështjella e bardhë” (2008)
“Shtëpia e heshtjes” (2008)
“Jeta e re” (2009)

Në proces
“Muzeumi i pafajësisë” (2010)
“Stambolli, kujtime dhe qyteti” (2010)
“Libri i zi” (2010)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›