Merkel humb Parlamentin
Senati i Gjermanisë nuk do të ketë shumicën përfaqësuese që i duhet Qeverisë së kancelares Anxhela Merkel për të realizuar platformën e saj politike. Gjermanët e kanë ndëshkuar Anxhela Merkelin në votimet e rëndësishme të së dielës dhe arsyeja kryesore mendohet se është mbështetja e saj për fondin e ndihmës ndaj Greqisë, për të cilin shumica e gjermanëve nuk ishin dakord. Koalicioni i djathtë i Merkelit humbi rëndë gjatë zgjedhjeve në shtetin verior më të rëndësishëm, Rine-Vestfalia (NRW). Kjo ishte një goditje e fortë për Merkelin e cila ka vetëm gjashtë muaj që ka fituar mandatin e dytë. Tani ajo duhet të përpiqet të fitojë mbështetjen e partive opozitare për të realizuar politikat e axhendës së saj. Një rezultat i bazuar në projeksionet e televizionit ZDF i vendos Kristiandemokratët e Merkelit (CDU) në vendin e dytë me 34.3 për qind dhe aleatët e tyre, Demokratët e lirë (FDP) me 6.7 për qind, një përqindje e ulët që e lë të paqartë formatin e Qeverisë së ardhshme të NRë-së. Partia më e madhe opozitare në Gjermani, Social Demokratët (SPD) fituan 34.7 për qind të votave. Një rezultat përfundimtar parashikohet të jepet në orët e para të mëngjesit sot. Në këto zgjedhje nuk u vendos vetëm për NRW-në, por edhe ardhmërinë e qeverisjes në Berlin, duke e rrezikuar seriozisht forcën e qeverisjes së Merkelit, sipas analistëve në Gjermani. Merkel është përballur me kritika nga partitë e opozitës për trajtimin që i bëri krizës në Greqi pasi ajo fillimisht kishte rezistuar në dhënien e ndihmës, nga kundërshtimi masiv popullor mbi planin. Zëvendësi i saj, Guido Vestervelle, tha se rezultati i zgjedhjeve në shtetin verior ishte një dështim. “Ky është një paralajmërim për partitë e Qeverisë”, tha Vestervelle. CDU dhe FDP kanë drejtuar në NRë që nga viti 2005 dhe koalicioni i tyre ka pasqyruar një marrëveshje për ndarjen e pushtetit në nivel kombëtar. “SPD është kthyer!”, tha udhëheqësi i partisë opozitare në NRW, Hannelore Kraft, para përkrahësve të ngazëllyer pas rezultateve të para. çfarëdo që të vendosë kabineti dhe dhoma e ulët e parlamentit, projektligjet duhet të miratohen edhe nga një instancë tjetër. Kjo është dhoma e lartë e Parlamentit e quajtur edhe dhoma e landeve, selia e përfaqësive të landeve. Tani ka sërish shumicë për opozitën në dhomën e lartë dhe ajo ka plane të ndryshme nga ato të Qeverisë,gjë që do të sjellë tension politik në Gjermani. Temat e mëdha të mosmarrëveshjes midis Qeverisë dhe opozitës janë heqja dorë nga energjia bërthamore, uljet e taksave dhe e ashtuquajtura frymë në sigurimin shëndetësor ligjor. Qeveria e vjetër midis SPD-së dhe Bashkimit Kristiandemokrat-social (CDU-CSU) synonte ta çonte përpara heqjen dorë nga energjia bërthamore në Gjermani. Për SPD-në kjo ishte një temë e rëndësishme e fushatës zgjedhore për zgjedhjet kombëtare të 27 shtatorit 2009. Por, CDU dhe FDP nuk e kanë pëlqyer ndonjëherë këtë ide, kështu që planet për një ndarje të shpejtë nga kjo energji përfunduan shpejt në koshin e plehrave dhe në tryezë u vendosën plane të reja për zgjatjen e kohës së shfrytëzimit të centraleve bërthamore. Këtë qeveria nuk do të jetë më në gjendje ta arrijë, në qoftë se dhoma e lartë e Parlamentit është kundër këtij projekti.