E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN miraton borxhin 30 miliardë euro për Greqinë



Greqia ka marrë edhe mbështetjen e FMN-së për borxhin financiar tre vjeçar, por situata e saj nuk ka prekur aspak Londrën, e cila nuk ka pranuar të fusë fonde për mekanizmin e shpëtimit të vendeve. Britania nuk bën pjesë në Eurozonë, por liderët e BE-së shpresonin se duke qenë një nga fuqitë e mëdha ekonomike evropiane, ajo do të mund të kontribuonte për fondin. Ndërkohë bordi i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka aprovuar një paketë ndihme trevjeçare për Greqinë prej 26,4 miliardësh Sdr (special-drawing right), apo 30 miliardë euro. Lajmi u publikua në adresën e FMN-së. Ndihmat do të bashkohen me shumën 110 miliardë euro, që përfshin paketën e ofruar nga Bashkimi Evropian. BE është deklaruar e vendosur për të “mbrojtur” zonën euro duke aktivizuar një sërë mekanizmash për stabilitetin financiar dhe mbështetjen për vendet në vështirësi për të ndaluar efektin zinxhir të krizës greke. Ndërsa Britania e madhe nuk ka pranuar të marrë pjesë në fondin për shpëtimin e shteteve në rrezik financiar që BE ka përgatitur për vende të tjera si Greqia, sipas burimeve diplomatike në Bruksel. Fondi, sipas Komisionit Evropian, do të funksionojë si një FMN e vogël në versionin evropian me 60-70 milionë euro. Mekanizmi duhet të parashikojë mbledhjen e fondeve në tregje nga ana e Komisionit të BE-së dhe në mbështetje të vendeve në vështirësi, siç ndodh me borxhet e vendeve që nuk janë pjesë e eurozonës. Nga ana ligjore, mekanizmi duhet të bazohet në një klauzolë të Traktatit (122) që i lejon BE-së të garantojë një asistencë financiare për vendet anëtare që ndodhen në “vështirësi” apo “nën kërcënim serioz financiar”. Klauzola i referohet rrethanave të jashtëzakonshme, mes të cilave katastrofat natyrale dhe evenimente që nuk mund të kontrollohen. Presidenti amerikan, Barak Obama, i ka telefonuar kancelares gjermane, Anxhela Merkel për të folur mbi krizën e borxheve të Greqisë. Të dy krerët kanë rënë dakord mbi domosdoshmërinë që 26 vendet anëtare të BE-së të hedhin hapa të vendosur për të kthyer besimin në tregje. Edhe presidenti francez, Nikolas Sarkozi ka folur me kancelaren, Anxhela Merkel dhe janë në sintoni të plotë mbi masat që do të njoftohen në Bruksel për t’i rikthyer stabilitetin e humbur euros.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›