E Diel, 1 Nëntor 2026

Gripi i derrit, mjekët: Në shtator do rrisim gatishmërinë

Bluzat e bardha do ta rrisin gjendjen e tyre të gatishmërisë që ditët e para të muajit shtator. Shkak për këtë është bërë paralajmërimi për një valë më të fortë të gripit të derrit. Ndonëse edhe gjatë këtyre ditëve të nxehta të verës puna e mjekëve të familjes apo atyre infeksionistë, që merren me trajtimin e të prekurve apo të dyshuarve me virusin AH1N1 nuk ka reshtur, sërish shtatori do t‘i kalojë të gjithë ata në një nivel tjetër.

Lidhur me këtë çështje, përfaqësues të Institutit të Shëndetit Publik pohojnë se kjo përbën një domosdoshmëri nisur edhe nga njoftimet e vazhdueshme të OBSH-së për një valë goditëse më të fortë të virusit të gripit të derrit.

Nga ana tjetër, vazhdon me intensitet puna për marrjen e mostrave nga personat që dyshohen se mund të jenë infektuar nga virusi pandemik. Vetëm gjatë kësaj jave të fundit rezulton se numri i mostrave të marra nga persona të dyshuar si bartës të gripit të derrit ka shkuar në 50. Në buletinin epidemiologjik mbi gjendjen e virusit AH1N1 që përditësohet, Instituti i Shëndetit Publik bën të ditur se deri tani numri i mostrave të mbledhura ka arritur në 374 nga 336 që kanë qenë më 9 gusht. Por, përveç mostrave të fundit që janë dërguar në Laboratorin e Referencës në Rumani, për t‘u analizuar lidhur me nëntipin e tyre, si edhe 12 rasteve tashmë të konfirmuara zyrtarisht si të prekur nga virusi i rrezikshëm, nuk bëhet i ditur ndonjë tjetër i infektuar me AH1N1.

Për sa u përket numrit të mostrave, sasia më e madhe e tyre është mbledhur nga rastet klinike të paraqitura në pavijonin e infektivit në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në kryeqytet. Bëhet fjalë për 175 mostra analizash. Ndërkohë që 57 të tjera janë mbledhur në spitalin pediatrik në kryeqytet për të montuar në mënyrë të vazhdueshme situatën e këtij gripi pandemik mes moshave të mitura.

Nga të dhënat e bëra publike prej Instituti të Shëndetit Publik, përmes buletinit epidemiologjik numri më i madh i kampionëve të marrë për kryerjen e ekzaminimeve më të specializuara është mes grupmoshave të rritura, kryesisht 25-44 vjeç. Këto konsiderohen edhe si më të rrezikuarat nga virusi pandemik, të paktën nga numri i të prekurve të deritanishëm. Sipas buletinit të përgatitur nga ISHP-ja, në vendet ku ka pasur shpërthime epidemike, si dhe një numër të madh të prekurish nga gripi i derrit, nuk vihet re kapërcimi i pragut të pandemisë.

Duke analizuar situatën epidemiologjike, specialistët e Shëndetit Publik në vend, në buletinin e radhës referojnë se nuk ka shpërthim epidemik të infeksioneve respiratore, sëmundjeve të ngjashme me gripin, apo numër të madh rastesh të infektuar nga gripi pandemik AH1N1. Specialistët e Shëndetësisë shprehen se situata aktuale është mjaft e qetë dhe virusi nuk ka agresivitet ashtu siç dukej në fillim, por ata paralajmërojnë se në sezonin e vjeshtës pritet një rritje e ndjeshme e numrit të të prekurve nga gripi i derrit dhe po ashtu violenca e tij pritet të rritet. Por, pavarësisht kësaj, Komisioni i Sigurisë Shëndetësore në Bashkimin Europian ka deklaruar se nuk është e nevojshme që të shtyhet hapja e shkollave për shkak të alarmit të virusit të gripit të derrave, AH1N1. Në një komunikatë për shtyp, ekspertët shprehen se "për momentin nuk është e nevojshme mbyllja e një sërë shkollash", sipas tyre, shtetet anëtare mund të vendosin për çdo rast një nga një për mbyllje të mundshme të shkollave të tyre.

Në vendin tonë pritet edhe mbërritja e analizave për pesë persona të dyshuar si të prekur nga virusi pandemik. Mes tyre është edhe një fëmijë 4-vjeçar, që shënon të parin rast të dyshuar të kësaj moshe për Shqipërinë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›