E Diel, 1 Nëntor 2026

PD kthehet në patericë për aleatët

Zgjedhjet parlamentare ribashkojnë të djathtën. Kryetarët e grupeve parlamentare të djathta kanë zhvilluar dje një takim informal, ku në qendër të vëmendjes ka qenë reforma zgjedhore, bashkimi i së djathtës, por një vend të rëndësishëm kanë zënë edhe listat e deputetëve. Demokratët kanë vendosur tashmë që të përfshijnë edhe aleatët në listat që do të përfundohen brenda muajit maj. Kreu i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, është takuar dje me republikanin Arjan Madhi dhe deputetin e PDR, Tritan Shehun, i cili tashmë mund të cilësohet shumë mirë si pjesë e Partisë Demokratike. Seanca e djeshme parlamentare ka qenë një pikë tjetër e fortë që ka detyruar numrin një të grupit të PD-së që të mbledh disa nga aleatët. PBDNJ-ja si gjithmonë e pabindur në negociata të tilla, nuk i është bashkuar Partisë Demokratike, ndërkohë që ftohja e Nard Ndokës me mazhorancën aktuale ka mbajtur në distancë PDK-në me PD-në. Krijimi i një federate të djathtë duket se është larg realitetit në politikën shqiptare, ku beteja e vërtetë mes aleatëve dhe demokratëve qëndron te listat e kandidatëve për deputet. Reforma zgjedhore është një tjetër pikë që do të bashkojë aleatët me PD-në. Demokratët, tashmë të patrembur për votat e shumicës në Kuvend, janë kthyer në një patericë për aleatët e tyre. Tryeza e të djathtës vazhdon të jetë e bllokuar për të shmangur konfliktet dhe pakënaqësitë brenda së djathtës. Për këtë arsye nuk ka qenë Kryeministri Berisha, ai që ka mbledhur të vegjlit në tryezë, por nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi. Për kuotat në strukturën e partisë për deputetë do të jetë Kryeministri Berisha, ai që do të vendos drejtpërdrejt me kryetarët e partive të vogla. Tryeza e së djathtës pritet të mblidhet në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm, ku do të diskutohet edhe për platformën e së djathtës në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të qershorit 2009-të.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›