E Shtunë, 31 Tetor 2026

Medvedev: Çështja e Kosovës s’është zgjidhur

 

Para vizitës zyrtare në Serbi (sot), Presidenti i Rusisë, Dimitri Medvedev, ka deklaruar se askush nuk guxon të pohojë se çështja e Kosovës është zgjidhur, e që Serbia të mos e ketë thënë fjalën e fundit. Si përfaqësuesi më i lartë i vendit që mbështet më shumë Serbinë në botë, Medvedev ka theksuar se Rusia merr pjesë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës sipas formulës që është harmonizuar prej kohësh me kolegët serbë. “Beogradi po del me iniciativa, kurse ne po e mbështesim me vendosmëri. Duke marrë parasysh problemin e komplikuar, një qëndrim i tillë po tregohet efikas”, tha presidenti rus duke shtuar se, “fatkeqësisht gjatë dekadës së fundit janë bërë shumë gabime tragjike, që ka marrë përmasa kritike në historinë e zgjidhjes së problemit të Kosovës. Disa gabime janë lejuar me vetëdije si pjesë e planit për futjen e zgjidhjeve të njëanshme në praktikën ndërkombëtare”, tha ai. Në një prononcim për gazetën “Veçernje novosti” të Beogradit, ai shtoi se vizita e tij është shumë e rëndësishme për avancimin e bashkëpunimit ndërshtetëror dhe forcimin e lidhjeve vëllazërore të popullit serb e rus.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›