E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Eshtrat” deputetët e PD në Kuvend: Lustracioni i nevojshëm

TIRANE- Duke ju referuar zbulimit të varreve masive në Dajt, mazhoranca pohoi se brenda institucioneve shqiptare vazhdojnë të strehoen fantazma të së kaluarës. Gjatë seancës së të enjtes disa deputetë demokratë janë përqëndruar në fjalimet e tyre tek eshtrat e gjetura ditë më parë ndërsa këmbëngulën në dëmshmërblimin e të përndjekurve, si një premtim i hershëm. “Zbulimi i eshtrave në malin e Dajtit ka kthyer me forcë kujtesën tonë kolektive këtë trashëgimi të dhunshme. Ndërsa vlerësoj vendimin e qeverisë për ngritjen e një grup pune për gjetjen e eshtrave të të ekzekutuarve nga diktatura, një ndihmë që u jepet familjeve por dhe të gjithëve ne për ti nderuar ata, dëshiroj të theksoj me forcë se kjo nuk është një histori të vdekurish , nuk është një histori eshtrash dhe nuk është një histori ku ne duhet të kufizohemi thjesht duke thënë për të njëmiliontën herë sa mizor ishte regjimi i Enver Hoxhës. Kjo nuk është një histori të vdekurish por kjo është një histori të gjallësh. Kjo nuk është një ngjarje që lidhet me të kaluarën por lidhet më shumë me të sotmen. Zbulimi i eshtrave duhet të na nxisë të jemi më të ndjeshëm ndaj krimeve të diktaturës. Është e vërtetë që jemi një vend me shumë probleme, kemi nevojë të ndërtojmë infrastrukturën, shkollat, spitalet, duhet të rrisim pensionet , rrogat, duhet të kompensojmë pronarët historikë dhe kemi një buxhet të kufizuar, por dëmshpërblimi i të përndjekurve nuk duhet të shikohet si lëmoshë, nuk duhet të shikohet si një barrë për vendin” theksoi deputeti Bumci. Një vit më parë mazhoranca sumoi anëtarët e Gjykatës Kushtetuese se kanë lidhje me episode të caktuara të regjimit komunist , ndërkohë që pas rrëzimit të ligjit të dosjeve nga kjo gjykatë, e njëjta mazhorancë këmbëngul se ligji i dosjeve do kishte pastruar institucionet nga fenomene të tilla negative. (e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›