Berat, narkomanët pushtojnë komandën e divizionit ushtarak
Narkomanët “pushtojnë” ish-Komandën e Divizionit Ushtarak në Berat. Krahas objekteve civile, prej kohësh përdoruesit e drogave kanë nisur të shfrytëzojnë edhe godinën e braktisur të ish-institucionit ushtarak. Prej disa muajsh kjo godinë njëkatëshe gjigante, përballë spitalit rajonal dhe ndanë rrugës që të çon në varrezat e Suelasit në lagjen “Kushtrimi”, është shndërruar në një rezidencë të tyre. Gati çdo ditë dhjetëra përdorues të drogës, të moshave dhe sekseve të ndryshme, hyjnë e dalin nga kjo godinë në çdo orë të ditës e deri në orët e vona të natës, pa u trembur nga askush.
Ish-Komanda e Repartit Nr. 9910, e dalë jashtë funksionit të saj fillestar që pas trazirave të vitit 1997, tashmë është në proces privatizimi dhe mbahet në ruajtje nga një vendroje ushtarësh, efektivë të Repartit Nr. 4303, i njohur si Baza e Logjistikës Ushtarake për jugun e vendit, bashkë me shumë syresh në afërsi të saj. Por duket se shndërrimi në një rezidencë të përdoruesve të rregullt të drogave të ndryshme, hyrje-daljet e shpeshta dhe qëndrimet deri në mesnatë, janë bërë të patolerueshme për vetë rojat ushtarake dhe drejtuesit e Repartit Nr. 4303, të cilët nuk janë në gjendje t’i largojnë. Këta të fundit e kanë përcjellë shqetësimin e tyre deri te stacioni rajonal i policisë ushtarake.
Në këto kushte, një ditë më parë, me anë të një shkrese zyrtare, Komanda e Repartit Nr. 4303 i drejtohet stacionit të policisë ushtarake për ndihmë. Në shkresën zyrtare në fjalë, mes të tjerave thuhet se “prej kohësh në objektet e ish-Repartit Ushtarak Nr. 9910, të cilat mbahen në ruajtje nga ana jonë, futen dhe qëndrojnë për orë të tëra dhe deri në orët e vona të natës dhjetëra të droguar, shumica e të cilëve adoleshentë. Nga ana jonë janë bërë përpjekje për t’i ndaluar të futen në këto objekte, por meqenëse një mori, mbikëqyren ruhen vetëm nga një vendroje, që detyrë kryesore ka ruajtjen e ish-komandës dhe autobusit të repartit tonë dhe atë të Repartit të Reagimit të Shpejtë të Poshnjës. Ne e kemi të pamundur ruajtjen e kësaj godine dhe kërkojmë ndihmën tuaj. Kërkojmë nga ana juaj, që çdo mbrëmje pranë këtyre objekteve të shërbejë edhe një patrullë e përhershme e policisë ushtarake”.
Nuk dihet përse komanda e kësaj baze logjistike vë si shqetësim hyrje–daljet e përdoruesve të drogës në godinën gjigante të ish-Komandës së Divizionit Ushtarak të Beratit dhe jo dëmtimin e tyre. Por, burime nga ky repart ushtarak thonë se në brendësi të këtij objekti të braktisur gjenden mijëra shiringa dhe mbetje të tjera të rrezikshme, që e bëjnë atë një burim infeksioni mikrobiologjik, por edhe sepse shumë nga frekuentuesit dhe përdoruesit e drogave janë bërë kërcënues ndaj ushtarëve rojë.
#