E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masa e sigurisë për Kumbaron shkon te Kolegjet e Bashkuara

Gjykata e Lartë do të marrë një vendim unifikues për praktikat ligjore për ish-shikasin

Problemet ligjore për masën e sigurisë ndaj Ilir Kumbaros, ish-shikasi i akuzuar për rrëmbimin e Remzi Hoxhës, do të unifikohen nga Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë. Të gjithë gjyqtarët e Gjykatës Supreme do të mblidhen për të diskutuar problemet e kësaj çështjeje, që është sorollatur disa herë në të tria shkallët e gjyqësorit në Shqipëri, duke mos dhënë një vendim të prerë. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka diskutuar dje kërkesën e avokatëve të Kumbaros për ndryshimin e masës së sigurisë. Prokuroria ka kundërshtuar me forcë këtë ndryshim, duke deklaruar se nuk ka asnjë rrethanë lehtësuese. Ndërkohë, avokatët e Kumbaros i kanë parashtruar trupit gjykues se për këtë çështje janë disa vendime të kundërta, duke i parashtruar pesë vendime për masën e sigurisë. Nisur nga moria e vendimeve të ndryshme, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi që të delegojë çështjen te Kolegjet e Bashkuara. Burime nga Gjykata Supreme thanë se në ditët e ardhshme do të caktohet data e këtij procesi ku do të marrin pjesë të gjithë gjyqtarët, ndërsa do të parashtrojnë mendimet edhe avokatët e Kumbaros, si dhe prokurorët e akuzës qendrore. Vendimi që do të merret duhet të jetë me shumicë votash dhe do të shërbejë si praktikë ligjore në të ardhmen për çështje të ngjashme. Kolegjet e Bashkuara kryesohen nga kryegjyqtarja Shpresa Becaj, ndërsa relatori do të zgjidhet me short.

Ndërkohë, dy shkallët e tjera të gjyqësorit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda e konsiderojnë ish-shikasin Ilir Kumbaro një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, nisur edhe nga fshehja për një kohë të gjatë në Angli me identitet të rremë. Ai akuzohet për rrëmbim dhe torturë të trefishtë dhe nisur nga rrezikshmëria e veprave penale që kanë një minimum prej 10 vitesh burg, gjykata ka rivendosur ndaj personit në fjalë masën e arrestit “arrest me burg”, pasi më parë, në fillim të muajit dhjetor të vitit të kaluar Gjykata e Lartë kishte kthyer çështjen për rigjykim. Pas këtij vendimi, prokuroria i parashtroi gjykatës argumentet pse duhet që Kumbaro, i arrestuar në Angli me emrin Shaqa Shatri, duhet të qëndrojë në burg, duke e konsideruar madje një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Nga materialet e prokurorisë në dosje rezulton se i pandehuri Ilir Kumbaro është larguar nga Shqipëria në vitin 1996. Kërkesa për ekstradimin e shtetasit Ilir Kumbaro nuk u bë deri në përfundimin e hetimeve paraprake në prill të vitit 2008, pasi nuk ishim në dijeni të adresës së saktë të tij. Pasi dëgjoi palët në proces, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi se pavarësisht se masa e sigurimit “arrest në burg” e ka humbur fuqinë, përsëri ekzistojnë ende arsyet për të cilat ishte vendosur paraburgimi dhe për këtë shkak është e domosdoshme që ndaj këtij të pandehuri duhet të caktohet përsëri si masë e sigurimit personal po ajo e arrestit në burg. çështja u dërgua në Gjykatën e Apelit, e cila e la në fuqi. Avokatët bënë rekurs dhe çështja u dërgua në Gjykatën e Lartë. Kjo e fundit e riktheu në Gjykatën e Apelit, pasi avokatët nuk kishin prokura nga personi i pandehur, por nga familja. Gjykata e Apelit pranoi sërish kërkesën e tyre dhe çështja u ridërgua në Gjykatën Supreme. Por, diskutimet në Gjykatën e Lartë sollën që çështja të kalojë te Kolegjet e Bashkuara për të marrë një vendim unifikues për këto probleme të hasura në të tria shkallët e gjyqësorit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›