E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku i armëve rrezikon policët e postës së Muriqanit

Pas kapjes së dy trafikantëve, hetimet shtrihen edhe në Mal të Zi

Trafiku i armëve nga Mali i Zi drejt Shqipërisë pritet të sjellë “tronditje” në një nga pikat e kalimit kufitar në Shkodër, pasi do të nisë një hetim për dyshime të punonjësve të policisë të lidhur me këtë trafik. Informacioni bëhet i ditur pas operacionit të realizuar ditën e djeshme nga forcat e policisë në Kavajë, që kanë mundur të vendosin në pranga dy persona dhe të bllokojnë armë e municione të trafikuara nga Mali i Zi. Sipas informacioneve, ata i kalonin këto armë nga pika kufitare e Muriqanit. Kjo ka sjellë dyshime mbi punën e kryer nga efektivët e policisë në të dy anët e kufirit.

Operacioni “Qerreti II”

Sipas të dhënave policore strukturat e hetimit të krimit të Komisariatit të Policisë Kavajë bënë të mundur finalizimin e operacionit të koduar “Qerreti II”, duke vendosur në pranga dy persona, të cilëve iu sekuestruan një sërë armësh dhe municionesh luftarake. Gjatë këtij operacioni u arrestuan Arif Banush Zelo, 52 vjeç, banues në fshatin Dushk, Lushnjë, i proceduar disa herë më parë për “vjedhje” e “trafikim të lëndëve narkotike” dhe Ermir Sefedin Dalipaj, 32 vjeç, banues në Dushk Lushnjë. Ata u kapën në segmentit nacional në afërsi të fshatit Qerret në Kavajë, gjatë momenteve të qarkullimit me automjetin tip “Mercedes Benz”, me targa LU 0692 C, ku pas një kontrolli të ushtruar në të, u bllokuan në cilësinë dy pistoleta “Zastava”, me 50 fishekë, si dhe një silenciator. Ndërkohë, gjatë kontrollit të banesave të tyre u gjetën dhe sekuestruan edhe dy pistoleta të tjera “Zastava”, si dhe një armë zjarri automatike me 50 fishekë të tjerë pistolete. Në sajë të hetimeve, u konkludua se personat e lartpërmendur, armët i siguronin duke i blerë në Malin e Zi, më pas duke kaluar në mënyrë ilegale përmes pikës së kalimit kufitar të Muriqanit, me qëllim tregtimin në Shqipëri të armëve e municioneve dhe përfitimin monetar të tyre. Mbi 52-vjeçarin Zelo, policia shpjegoi se ai sapo ishte liruar nga burgu, ku ka qenë i dënuar për trafik droge. Pikërisht më 26 shtator të vitit 2002, gjatë kontrollit në autobusin e linjës Vlorë-Tiranë, në vendin e quajtur Mbrostar-Ura, atij i është sekuestruar një çantë me 17 kg marijuanë e presuar dhe e paketuar në 17 pako. Në atë kohë, gjatë kontrollit të banesës iu gjetën edhe 13 kg marijuanë e presuar, të cilën e kishte blerë në Vlorë dhe do ta trafikonte jashtë shtetit.

Hetimet në Muriqan

Në lidhje me trafikun e armëve, sipas hetimeve të policisë, kjo nuk është hera e parë që mendohet se ata kanë kryer këtë veprim, ndërkohë që arrestimi i tyre është bërë pikërisht një ditë para konferencës rajonale për sigurinë e kufijve. Grupi hetimor deklaroi se kjo ka sjellë dyshime se ata mund të jenë lidhur edhe me punonjës policie në kufi, ku kanë mundur të kalojnë armët. Për këtë qëllim, dosja e tyre i ka kaluar Drejtorisë së Luftës Kundër Krimit të Organizuar. Sipas të dhënave, në sistemin e policisë do kontrollohet sesa herë, këta dy persona kanë kaluar kufirin me Malin e Zi, ku dyshohet se kryenin trafik armësh. Pasi të vërtetohet kalimi i tyre, si dhe oraret dhe ditët përkatëse, atëherë do të shikohet nëse punonjësit e policisë, qoftë nga Shqipëria apo Mali i Zi, që kanë qenë në turn, kanë abuzuar detyrën, duke lejuar ata të kalojnë me objekte ilegale. Nëse kjo rezulton e vërtetë, posta e policisë në Muriqan pritet të ketë tronditje, siç ndodhi në verën e vitit të kaluar me Drejtorinë Rajonale të Kufirit në Vlorë, që u shkri pikërisht për trafik droge me Italinë, pasi u kap një gomone që ishte nisur nga brigjet e bregdetit tonë. Kjo nuk është hera e parë që kryhet trafik nga kjo pikë kufitare. Nga ana tjetër, në bashkëpunim edhe me policinë malazeze, pritet të ketë një bashkëpunim për identifikimin e gjithë anëtarëve të këtij rrjeti. Kjo pritet të diskutohet mes dy homologëve edhe gjatë ditës së sotme, ku do zhvillohet konferenca rajonale e kufirit. Policia shqiptare ka bllokuar telefonat e dy trafikantëve të armëve, si dhe ka bërë identifikimin e gjithë thirrjeve telefonike të këtyre dy personave me numra celularësh malazezë, që pritet të hetohen nga ana e policisë fqinje.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›