Vrasja në Durrës, dalin para gjykatës adoleshentët
Arrest në burg pa afat për njërin prej ekzekutorëve të dyshuar të 17-vjeçarit durrsak që humbi jetën gjatë një konflikti banal. Dje është bërë vlerësimi dhe caktimi i masës së arrestit për dy të miturit e arrestuar nga policia për vrasjen që ndodhi ditën e diel në një nga lokalet afër Currilave. Gjyqtari Ndue Gjura, pasi dëgjoi në seanca të ndara përfaqësuesin e akuzës Dritan Gina dhe avokatët mbrojtës të dy të miturve, vendosi të lërë në arrest me burg pa afat Isid Currin, ndërsa për David Sh. vendosi arrest në burg me afat njëmujor. Curri deklaroi në seancë se ai kishte qëlluar mbi Ergys çelepinë, djalin që mbeti i plagosur në ngjarje, ndërsa 17-vjeçarin Kledi Myzyri e vrau shoku i tij Radi Buçpapaj, 18 vjeç. Dëshmia e të miturit tjetër David Sh., hodhi dritë mbi rolin e tij në krimin e së dielës së kaluar. Gjurmët e gishtave mbi armë e kanë çuar policinë drejt tij. Ndonëse mbrojtja kërkoi arrest shtëpiak për të, duke marrë parasysh moshën dhe faktin se ai vetëm e ka prekur armën që Curri mbante me vete, gjykata vendosi lënien e tij në qelitë e paraburgimit për një muaj derisa organi i akuzës të sigurojë provat shkencore për ngjarjen. Të enjten pritet të zhvillohet edhe seanca e vlerësimit dhe caktimit të masës së arrestit për Radi Buçpapajn, që konsiderohet në moshë madhore.
#