E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova dëbon imamin elbasanas të Skënderajt

Reagon vëllai, myfti i Elbasanit: Akuzat janë sajuar për të marrë drejtimin e fondacionit bamirës

Autoritetet e Kosovës vendosën ta dëbojnë imamin e xhamisë së fshatit Marinë në Komunën e Skënderajt në Drenicë. Imami Xhemal (Kastriot) Duka është detyruar dje të udhëtojë drejt vendlindjes së tij në Labinot-Fushë të Elbasanit dhe do ta ketë të pamundur për një periudhë kohe të shkelë në territorin e Kosovës. Xhemal Duka ka mbërritur në mbrëmje vonë në shtëpi, për shkak të rrugës së gjatë. Ndërkohë, vëllai i tij, i cili është myfti i Elbasanit, ka kritikuar vendimin e autoriteteve të Kosovës. Kreu i myftinisë së Elbasanit, Agim Duka, thotë se imami i përzënë nga Kosova është një klerik i mirarsimuar dhe me karrierë të gjatë. Sipas tij, imami Xhemal Duka ushtron këtë funksion fetar që prej dhjetë vjetësh në zonën e Drenicës, krahas detyrës së koordinatorit të shoqatës myslimane “Rrahim Mersi” me qendër në Lester të Anglisë. Xhemali është arsimuar në Turqi dhe në Egjipt, njeh katër gjuhë të huaja. Ai shkoi në Kosovë me misionin e bamirësit që në vitin 1999. Detyra e tij ka qenë ndihma për të varfrit. Aktiviteti humanitar në Skënderaj përgjatë një dhjetëvjeçari konsiston edhe në ndihma për ndryshimin e infrastrukturës së fshatit Marinë dhe xhamisë së këtij fshati. “Për mendimin tim, një konflikt me akuza të sajuara është ngritur nga myftiu i Skënderajt, i cili ka kërkuar juridiksionin e tij në administrimin e xhamisë dhe fondeve të shoqatës myslimane angleze dhe kjo në vetvete përbën konflikt interesash”, ka pohuar myftiu i Elbasanit. Por dëbimi i imamit Elbasanas u bë pas publikimit në media të pamjeve ku ai nxiste vajzat e vogla të mbanin shami. Këto pamje nxitën një reagim të fuqishëm të opinionit publik, që shkaktoi fillimisht mbylljen e xhamisë dhe më pas dëbimin e imamit nga Labinoti-Fushë. Megjithatë, myftinia e Elbasanit ka nisur negociatat me atë të Prishtinës për gjetjen e një zgjidhjeje në dobi të dy palëve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›