E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Nga vend i preferuar për trafikun e drogës, jemi transit

Deklarata Ministri i Brendshëm komenton raportin e Departamentit Amerikan

Ministri i Brendshëm vlerëson se raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit është pozitiv. Në përgjigje të interesimit të medias, gjatë një konference për shtyp, lidhur me vlerësimet për Shqipërinë në raportin e Departamentit të Shtetit të SHBA për luftën kundër narkotrafikut, ministri Basha, duke përshëndetur këtë raport u shpreh se ai evidenton qartë se Shqipëria ka luftuar në mënyrë agresive trafikun e lëndëve narkotike. “Raporti vlerëson që Shqipëria nuk është më rrugë e preferuar e drogës në transit. Në raport thuhet se si rezultat i masave të marra nga qeveria shqiptare trafiku i heroinës ka pësuar rënie të ndjeshme vit pas viti. Aty konstatohet qartësisht se policia shqiptare sekuestron sasi të mëdha të heroinës dhe se sasia e heroinës afgane që mbërrin në brigjet italiane është minimale. Objektiviteti i këtij raporti konfirmon edhe një herë atë që kemi thënë se Shqipëria vit pas viti përmirëson indikatorët dhe ndan objektivat e saj për të qenë vendi më armiqësor ndaj këtij trafiku në rajonin e Ballkanit”, u shpreh Basha. Më tej, ai theksoi se lufta kundër korrupsionit dhe narkotrafikut mbetet angazhim madhor i Ministrisë së Brendshme dhe i qeverisë shqiptare dhe se kjo luftë do të vazhdojë në mënyrë që edhe raporti i vitit që vjen të tregojë këtë përmirësim substancial që tregoi raporti i këtij viti.

Ministri i Brendshëm deklaroi se ditën e djeshme u takua me homologun e tij kroat, Tomisllav Karamarko, ku u diskutua që këto dy vende të nënshkruajnë së shpejti një marrëveshje të re për bashkëpunimin policor. Marrëveshja e mëparshme për bashkëpunim policor është nënshkruar që në vitin 1993 dhe për këtë arsye ministrat Basha dhe Karamarko ranë dakord në takim për rinovimin e saj brenda një kohe sa më të shkurtër, me synim thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit. Në konferencën për shtyp pas takimit, ministrat Basha dhe Karamarko vlerësuan bashkëpunimin e shkëlqyer të deritanishëm dhe shprehën angazhimin e plotë për të thelluar këtë bashkëpunim në të gjitha fushat që mbulojnë institucionet që drejtojnë në të dy vendet.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›