Ambasadorja e Britanisë nderon oficerin shqiptar
Një oficer i ushtrisë shqiptare ka pasur një performancë të jashtëzakonshme gjatë një trajnimi në Britaninë e Madhe. Ambasadorja Britanike në Shqipëri, Fiona McIlwham dhe ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, takuan dje nëntogerin Bleard Sabri Vuçaj për ta përgëzuar për performancën e jashtëzakonshme të tij në kursin e trajnimit të oficerëve në Akademinë Ushtarake Mbretërore Sandhurst (AUMS) në Mbretërinë e Bashkuar. Të pranishëm ishin gjithashtu dhe shefi i Shtabit Ushtarak, gjeneral brigade Maksim Malaj dhe atasheu ushtarak, koloneli Bob Barnes. Nëntogerit Bleard Sabri Vuçaj iu dorëzua titulli prestigjioz “Hodson’s Horse Merit” si kadeti i huaj, i cili ka performuar me merita të veçanta në kursin numër 091. Gjithashtu, ai u shqua si një kadet i ri drejtues me përgjegjësi ndaj togës së tij të kadetëve, për aftësinë dhe profesionalizmin e tij. Ambasadorja përgëzoi nëntogerin Vuçaj për arritjet e tij mbresëlënëse në një program trajnimi shumë kompetitiv. Ajo u shpreh se ky ishte “një shembull i qartë i talenteve dhe energjisë së të rinjve shqiptarë dhe dëshmi që anëtarësimi në NATO ofron mundësi për të shfrytëzuar këtë talent”. Me këtë rast, ambasadorja shprehu mirënjohjen e qeverisë britanike për kontributin e Shqipërisë në operacionet e NATO-s në Afganistan.
#