E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, pezullohet mësuesi i dyshuar për ngacmime seksuale

Pezullohet nga puna mësuesi i matematikës në shkollën e fshatit Çiflik, pas peticionit të hartuar nga drejtoria e shkollës së kësaj zone dhe ankesave të ngritura nga disa prindër për sjelljet jo të hijshme të këtij edukatori. Ankesat e mbërritura pak ditë më parë në Drejtorinë Arsimore të Rrethit, që shkojnë deri në akuza në ngacmime të nxënëseve, por që nuk janë përfshirë në peticion, kanë bërë që kjo e fundit të marrë masa për pezullimin nga puna të mësuesit deri në marrjen e një vendimi tjetër.

Engjëllush Bregu, mësues i lëndës së matematikës në shkollën nëntëvjeçare të fshatit Çiflik në Komunën Poshnjë të Rrethit të Beratit, dje nuk është lejuar të japë mësim në shkollë. Burime pranë drejtorisë arsimore bëjnë të ditur se urdhri për pezullimin e Bregut nga mësimdhënia sapo ka mbërritur në drejtorinë e shkollës i është komunikuar mësuesit, i cili ishte paraqitur në punë si çdo ditë tjetër. Atij i është komunikuar pezullimi nga detyra, deri në marrjen e një urdhri të dytë.

Lajmi për pezullimin nga puna të Bregut konfirmohet nga drejtori i Drejtorisë Arsimore në Berat, Yzedin Hima, i cili ka pohuar se pezullimi nga detyra i mësuesit 50-vjeçar është bërë pas ankesave të mbërritura në adresë të tij nga drejtoria e shkollës. Hima ka thënë se menjëherë sapo është njohur me peticionin e hartuar nga ana e drejtorisë së shkollës dhe firmosur nga 13 prindër, është marrë urgjentisht me këtë problem duke u njohur me akuzat e ngritura në peticion dhe ka thirrur në një takim vetë mësuesin e akuzuar dhe drejtorin e shkollës nëntëvjeçare, ku prej disa ditësh janë nisur ankesat e prindërve dhe nxënësve. Pasi është njohur me problemin, Hima theksoi se vendosi të pezullojë mësuesin e matematikës nga puna me motivacionin e "thyerjes së dispozitave normative". Ai theksoi se kjo ishte masa momentale që mund të merrej ndaj mësuesit, pas peticionit me gjashtë pika të bërë nga prindërit.

Kreu i arsimit theksoi se do të njihet me dispozitat ligjore për të vendosur më tej se çfarë do të vendoset për mësuesin e matematikës. Në lidhje me akuzat e ngritura ndaj mësuesit të matematikës, ka shtuar se çdo vendim do të jetë në favor të nxënësve, por për vendimin do të merren në konsideratë vetëm shqetësimet e ngritura nga prindërit në peticion, pasi akuzat e tjetra, që kanë lidhje me ngacmime seksuale ndaj nxënëseve nuk kanë mbërritur në drejtorinë arsimore.

Engjëllush Bregu u akuza tri ditë më parë nga 13 prindër për sjellje "jo të rregullt" me nxënësit, paraqitje në shkollë në gjendje të dehur, kryerje të ekskursioneve pa lejen e drejtorit. Këto ishin akuzat e ngritura zyrtarisht ndaj mësuesit në peticion. Mësohet se prindërit janë ankuar ndaj tij duke e akuzuar edhe për ngacmime të nxënëseve.

Mësuesi Bregu, më 16 shkurt të vitit 2004, është dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor në Berat me 7 muaj heqje lirie, për veprën penale të "kryerjes së veprave të turpshme". Pas kryerjes së dënimit, në vitin 2004, ai është kthyer sërish në arsim. Krerët aktualë të Drejtorisë Arsimore në Berat thonë se e kanë gjetur në punë mësuesin e dënuar për vepra të turpshme dhe nuk e njihnin të kaluarën e tij.

Mbetet ende e paqartë mënyra se si një mësues i dënuar një herë për ngacmim të nxënëseve të mitura është lejuar të fillojë sërish punë në profesion. Nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës nuk ka pasur deri tani asnjë reagim për këtë rast dhe i vetmi institucion që po merret me shqyrtimin e çështjes është Drejtoria Rajonale e Arsimit, në Berat.

Dokumenti

Ngacmimet që çuan

në burg mësuesin maniak

Gazeta "Shqip" ka siguruar vendimin e plotë të Gjykatës së Faktit në Berat, e cila në shkurt të vitit 2004 dënoi me 7 muaj burg mësuesin Engjëllush Bregu, për "vepra të turpshme". Gazeta ka vendosur të botojë të plotë arsyetimin e dhënë nga gjykata për këtë vendim, që mori formë të prerë nga Gjykata e Apelit në Vlorë.

***

Vendimi

I pandehuri Engjëllush Bregu është banor i lagjes "28 Nëntori", Berat. Mbi bazën e kallëzimit të shtetases Shpresa Hyseni, banore e lagjes Uznovë, Berat, bërë në datën 09.10.2003 nga organi i akuzës ka filluar procedimi penal nr. 156, datë 10.10.2003 ndaj të pandehurit Engjëllush Bregu, duke e akuzuar atë për veprën penale të "Veprave të turpshme" të parashikuara nga neni 108 të Kodit Penal. I pandehuri Engjëllush Bregu ka qenë mësues në shkollën 8-vjeçare në Uznovë dhe ka qenë mësues kujdestar i klasës së 6-të A. Në datën 04.10.2003 ky i pandehur me klasën që kishte në kujdestari ka kryer një ekskursion në Bogovë të Rrethit Skrapar ku kanë shkuar me një autobus. Në këtë ekskursion nuk i shoqëronte njeri tjetër, përveç mësuesit kujdestar, të pandehurit Engjëllush Bregu. Pasi kanë zbritur nga autobusi, i pandehuri së bashku me të gjithë nxënësit kanë shëtitur në këtë pikë turistike e më pas kanë qëndruar dhe për drekë tek lokali i quajtur "Bar Qama" po në Bogovë. Pasi kanë drekuar ku i pandehuri Engjëllush Bregu ka konsumuar dhe pije alkoolike kanë dalë nga lokali dhe kanë shkuar tek disa shkallë betoni që të çojnë tek tubacioni i ujit të pijshëm. Kur kanë filluar për të zbritur, i pandehuri Engjëllush Bregu ndodhej në fund të nxënësve dhe pranë vetes ka pasur nxënësen A.H., i pandehuri i ka hedhur dorën në qafë dhe i ka thënë kësaj nxënëseje "të të puth pak". Nxënësja A.H. është larguar dhe ka zbritur shkallët pas nxënësve të tjerë. Në fund të shkallëve, një nxënës i klasës i quajtur O.Sh. e ka pyetur pasi e ka parë të skuqur, se "çfarë ke?" dhe kjo nxënëse i ka thënë që "nuk kam gjë, kam frikë mos bie nga shkallët". Ndërsa shoqes së saj E.S. i ka treguar se mësuesi i ka hedhur dorën në qafë dhe se donte ta puthte. Pasi kanë zbritur nga shkallët kanë shkuar dhe kanë hipur në autobus. I pandehuri Engjëllush Bregu nuk është ulur përpara tek shoferi ku kishte qenë në vajtje, por ishte ulur me nxënësit. Nxënësia T.M. ka qenë ulur në stol me nxënësen G.V. dhe aty ka shkuar i pandehuri Engjëllush Bregu, i cili ka ngritur nga vendi G.V. dhe është ulur vet me nxënësen T.M. Pasi është ulur, i pandehuri, këtë nxënëse e ka fërkuar te këmba dhe një dorë tek kofsha e majtë. Pas këtij veprimi kjo nxënëse është larguar pa u penguar nga i pandehuri dhe është ulur në stolat mbrapa. I pandehuri është ngritur nga stoli ku ishte ulur dhe ka shkuar e është ulur te nxënësja A.K., duke ngritur nxënësen tjetër. I pandehuri i ka thënë kësaj nxënëse nëse dinte të mbante sekrete apo jo. Ndërkohë njërën dorë ia kishte hedhur në

qafë dhe tjetrën në kofshë. Nxënësja i është përgjigjur "jo". I pandehuri i ka thënë që "e di çdo të thotë sekret?" Nxënësja A.K i është përgjigjur "po e di, kur një shoqe ose kushërirë të thotë një sekret duhet ta mbash sekret". Gjatë kësaj bisede i pandehuri herë e hiqte dorën nga kofsha dhe herë e vinte, duke e lëvizur në kofshë. I pandehuri ka qëndruar në stol me këtë nxënëse deri sa ka zbritur në Uznovë. Kjo nxënëse pohon se ia ka shtyrë dorën dhe i pandehuri e ka hequr dorën kur e kishte tek kofsha dhe e ka vënë përsëri atë duke bërë të njëjtin veprim. I pandehuri ka tentuar ta prekte dhe nga gjoksi, pasi i kishte hedhur njërën dorë në qafë, por nxënësja A.K nuk e ka lejuar duke u shmangur më shumë nga dritarja. Në kohën kur ka qenë ulur me nxënësen A.K., i pandehuri e ka kapur nga floku, të cilin e kishte lidhur bisht, nxënësen E.S., e cila ishte ulur në stolin para tij dhe e ka ulur pranë vetes. Kjo nxënëse, pasi ka qëndruar pak, është larguar duke i thënë se po i dhembte koka. Këtë gjë ia ka thënë pasi kishte frikë nga mësuesi, pasi ai kishte pirë. I pandehuri Engjëllush Bregu si në hetim dhe në gjykim nuk e ka pranuar akuzën në ngarkim të tij dhe nuk e pranon faktin që të ketë kryer veprimin të turpshme. Po kështu, pretendimi i mbrojtjes se dhe nëse janë kryer këto veprime, ky fakt nuk përbën vepër penale, nuk qëndron. Për sa më sipër, bazuar në dëshmitë e nxënëseve A.K., E.S., A.H. dhe T.M. provohet plotësisht se i pandehuri Engjëllush Bregu, ka konsumuar elemente të veprës penale të "Veprave të turpshme" të parashikuara nga neni 108 të Kodit Penal dhe po në bazë të kësaj dispozite të deklarohet fajtor dhe të dënohet. Rezulton se i pandehuri Engjëllush Bregu ka mbushur moshën për përgjegjësi penale dhe se është i përgjegjshëm përpara ligjit. Në masën e llojin e dënimit, gjykata ka paparashikuar rrezikshmërinë e veprës penale dhe të autorit të saj.

Gjykata e konsideron të drejtë llojin dhe masën e dënimit të kërkuar nga prokurori.

***

Gjykata, bazuar në nenet 384 dhe 390 të Kodit të Procedurës Penale

VENDOSI

Deklarimin fajtor të të pandehurit Engjëllush Bregu për veprën penale të "Veprave të turpshme", të parashikuara nga neni 108 i Kodit Penal e po në bazë të kësaj dispozite, ta dënojë me 7 (shtatë muaj burgim), duke i filluar vuajtja e dënimit nga data e ndalimit 09.10.2003.

Kundër vendimit mund të bëhet ankim brenda afatit ligjor në Gjykatën e Apelit Vlorë

U shpall në Berat dt. 16.02.2003

***

Vendimi i Gjykatës së Apelit

Me vendim nr. 122, dt. 04.05.2004 të Gjykatës së Apelit Vlorë, u la në fuqi vendimi nr. 20, dt. 16.02.2004 i Gjykatës së Rrethit Berat

***

Vendimi i Gjykatës së Lartë

Me vendim nr. 89, dt. 11.02.2005 të Gjykatës së Lartë u vendos:

Mospranimi i rekursit të paraqitur nga i gjykuari Engjëllush Bregu, kundër vendimit nr. 122, dt. 04.05.2004 të Gjykatës së Apelit Vlorë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›