E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kultivimi i drogës, policia përgatit planin e vitit 2009

Lufta ndaj kultivimit të drogës duket se është një ndër prioritetet e policisë shqiptare edhe gjatë këtij viti. Pas një sërë deklaratash të kreut të Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, në takime me drejtues qarqesh të policisë, për marrjen e masave për kultivimin e lëndëve narkotike, duket se krerët e Tiranës e kanë marrë mesazhin duke organizuar edhe një takim me pushtetin vendor. Kështu, ditën e sotme, në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, do të zhvillohet një takim përmes drejtuesve të policisë së Tiranës dhe prefektit të Tiranës, Ruzhdi Keci. Në këtë takim, diskutimi do të përqendrohet në temën "për parandalimin, organizimin e punës dhe kryerjen e operacioneve policore për identifikimin, asgjësimin e sipërfaqeve të mbjella me bimë narkotike dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të kultivimit". Sipas policisë, takimi do të jetë i hapur dhe si çdo vit do të trajtohen strategjitë e bashkëpunimit edhe me pushtetin vendor për uljen e numrit të kultivuesve të lëndëve narkotike, sidomos të kanabisit, që është një ndër drogat e prodhuara në vendin tonë. Megjithatë, policia shpjegon se kryeqyteti nuk ka qenë një vend shqetësues për sa i përket këtij fenomeni, pavarësisht disa rasteve sporadike, të zbuluara nga agjentët e Seksionit Kundër Drogës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›