Plagoset në qendër të Kukësit kryekomunari i Shtiqnit
Një sherr i nisur mes kryetarit të Komunës së Shtiqnit, Gëzim Shehu, dhe shtetasit Shaqir Peca, i ka rrezikuar jetën kryekomunarit. Peca, 38 vjeç, me precedentë penalë, ka qëlluar me pistoletë në drejtim të Shehut, duke e plagosur në këmbën e djathtë. Ngjarja ka ndodhur në qendër të qytetit të Kukësit, rreth orës 18:30, në afërsi të një kafeneje, ku kryekomunari kishte parkuar automjetin e tij. Sherri mes dy personave të konsideruar si nga më të fortët në Kukës ka shokuar të gjithë ata që kanë parë ngjarjen dhe dëgjuar krismën e armës që për pak i mori jetën 38-vjeçarit Gëzim Shehu, kryetar i Komunës së Shtiqnit. Pronarët e kafeneve aty thanë se ishin të frikësuar dhe se mbanin mend vetëm pak gjëra. "Kam dëgjuar se dy personat po diskutonin me ton të ngritur, por pa kuptuar asgjë, kam dëgjuar krismën e armës dhe atëherë pashë që Shehu u mbështet te makina, ndërsa gjaku po rridhte nga këmba e djathtë", tregon një 45-vjeçar, banakier në një kafene të rrugës. Njerëz të tjerë, përfshi kamerierë dhe kalimtarë, thonë të frikësuar se nuk kanë parë asgjë. Asnjë nga të afërmit e të plagosurit që mundëm të kontaktojmë me telefon nuk dinte që mes Pecës dhe Shehut të ketë ekzistuar ndonjë sherr. Shehu është prej dy vjetësh kryetar komune në Shtiqën, një fshat 5 kilometra larg Kukësit dhe gjatë kësaj periudhe ka krijuar tek banorët, siç shprehen vetë ata, një profil pozitiv. Nga ana tjetër, Shehu njihet edhe si një nga njerëzit më me influencë në jetën politike lokale. Policia ka marrë në pyetje disa persona për të hedhur dritë mbi ndonjë pistë të motiveve që kanë çuar Pecën të shkrepë pistoletën, por ende nuk ka asnjë deklarim zyrtar. Burime të Drejtorisë së Policisë thanë se autori është larguar menjëherë nga vendngjarja me makinën e tij dhe forca të shumta policie kanë mbyllur shtigjet nga mund të largohet prej Kukësit, por ende nuk është kapur. "Po bëjmë kërkime intensive për të vënë në pranga autorin dhe pas këtij momenti mund të mësojmë shkaqet e ngjarjes" tha drejtori i Policisë së Qarkut, Muharrem Furriku. Shehu është plagosur në këmbën e djathtë, ndërsa mjekët në spital thanë se kishte humbur shumë gjak, por ishte jashtë rrezikut për jetën.