Ushtria vazhdon rekrutimet me dhunë, nuk pranon pagesa
Ndërsa në polici shumë punonjës nuk duan të dalin në reformë, në ushtri ndodh e kundërta. Ende vazhdojnë rekrutimet me forcë. E këto lloj rekrutimesh për kryerjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak kanë sjellë një sërë reagimesh në Korçë nga familjarë të të rinjve që merren forcërisht nga rruga për t‘iu nënshtruar këtij detyrimi. Shumë prindër i janë drejtuar qendrës së rekrutimeve, pasi kanë mësuar me vonesë kohore se fëmijët janë marrë për t‘iu nënshtruar shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Një lumë ankesash i janë drejtuar kësaj qendre, jo vetëm për faktin se nuk njoftohet në kohë për rekrutimin e të rinjve, por edhe për faktin se nuk ka një përgjigje pozitive për lirimin kundrejt pagesës. Prindër të shumtë në numër, të cilët kanë pritur pranë kësaj qendre, deklarojnë se kanë mundur të mësojnë për faktin se fëmijët e tyre janë rekrutuar për ushtarë vetëm pasi kanë apeluar për ndihmë, duke qenë se i kanë shpallur të rinjtë të humbur dhe të larguar pa dijeni nga banesa. Familjarë të djemve të rekrutuar ankohen për mënyrën e dhunshme të grumbullimit të të rinjve, duke mos u vënë aspak në dijeni të këtij fakti. Ali Mançellari, pasi është kërkuar prej tri ditësh nga të afërmit e tij, është gjetur duke kryer shërbimin ushtarak në Vlorë, ndërkohë që të afërmit thonë se ai është marrë me forcë nga rruga dhe vetëm pas dy ditë kërkimesh është mësuar vendndodhja. "Nipi im kishte ardhur si emigrant dhe është marrë nga rruga. Ne nuk e dinim se ku ndodhej dhe pasi kemi kërkuar gjatë dy ditëve, mësuam se e kanë marrë për ushtar. Ai duhet të kthehet në vendin e punës dhe ne jemi dakord të bëjmë pagesën e detyrueshme, por nuk marrim asnjë përgjigje, pasi na thonë se duhet të plotësohet numri i ushtarëve që rekrutohen nga Korça", shprehet daja e tij. Përtej kontestimit të kësaj metode për të detyruar shërbimin ushtarak, vijnë edhe ankesat e para për refuzimin e pagesës së lirimit. Luan Potka nga Lavdari tregon se pagesa që duhet bërë brenda pesë ditëve nga rekrutimi i djalit të tij refuzohet pa asnjë arsye. Ai thotë se nga qendra e rekrutimit ka marrë përgjigje se ka një urdhër që të mos kryhet asnjë pagesë, por nuk jepet asnjë argument se si do të procedohet më tej me të rinjtë, të cilët edhe pse pranojnë pagesën, mund t‘u kalojë afati prej pesë ditësh, duke qenë të detyruar kështu të mbeten nën uniformë për kryerjen e shërbimit të detyrueshëm. Sipas Luan Potkës, prej 24 orësh ai ka qëndruar para qendrës së rekrutimit në Korçë, por kërkesa e tij për të bërë pagesën refuzohet për arsye ende të paqarta. Djali i tij, Rudin Potka, është marrë forcërisht ndërsa ka qenë në pazarin e qytetit të Korçës. Babai i 19-vjeçarit deklaron se pasi i është drejtuar policisë me kërkime, ka mësuar pas një dite se djali i tij ndodhet në Vlorë. Edhe Potka ka kërkuar lirimin kundrejt pagesës, ndërsa shprehet se është gati të paguajë çdo detyrim që i takon shtetit. Në të kundërt, në rast se ky vendim nuk funksionon, ai pret një përgjigje përse 19-vjeçari duhet t‘i nënshtrohet ushtrisë. Sipas Potkës, qendra e rekrutimeve nuk jep asnjë sqarim. Nga ana e qendrës së rekrutimeve deklarohet se do të vazhdojë grumbullimi i rekrutëve të rinj, të cilët kanë plotësuar moshën për kryerjen e shërbimit të detyrueshëm, por nuk jepen shpjegime për mënyrën se si është kryer rekrutimi jashtë dëshirës dhe pa njoftuar familjarët. Jozyrtarisht mësohet se duhet që të plotësohet një shifër prej të paktën 100 të rekrutuarish, ndërkohë që nga qendra deklarohet se ka një urdhër për të mos pranuar pagesa deri në një vendim të dytë.