Grabitësit e kasafortave hiqeshin si punonjës pastrimi
Grupi i vjedhjeve i goditur nga policia në fund të javës shkonin në banesa me pretekstin për të pastruar shtëpitë
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda, tri ditë pas goditjes së supergrabitësve zbardh detajet e "bandes" dhe skemën që përdorej për vjedhjet. Sipas burimeve të hetimit, të arrestuarit ndiqeshin dhe hetoheshin prej rreth katër muajve, ndërsa çdo herë ndryshonin mënyrën e grabitjes.
"Nga hetimet e kryera na rezulton se organizatorët dhe personat që piketonin objektivin e vjedhjeve janë Sylejman Bakalli, Elton Lika dhe Sajmir Kuçi. Të tre këta dyshohet se ideonin mënyrën se si do grabisnin objektivin e paracaktuar.
Në shumë raste ata shtireshin si punonjës pastrimi të ambienteve të brendshme, duke përdorur edhe tapete, fshesa dore në ambientet që hynin për të grabitur",-thuhet nga prokuroria. Veç të arrestuarve dhe të shoqëruarve një pjesë e tyre nën hetim, janë shpallur në kërkim edhe tre persona.
Në shumicën e rasteve, "banda" vepronte natën dhe për këtë qëllim operacioni i policisë për arrestimin e tyre u kodua "Hija e Natës".
Për të realizuar grabitjen, anëtarët e "bandës" të drejtuar nga Bakalli, Kuçi dhe Lika përveç sendeve që përdoreshin për të hapur dyert, si çelësa, kaçavida apo materiale të ndryshme, përdornin edhe copa të vogla tapetesh dhe batanija. Këto sende, sipas akuzës, "banda" i përdorte për të humbur dyshimin se janë grabitës, e për të lënë përshtypje se janë pastrues të ambienteve të brendshme të banesave, zyrave dhe bizneseve të ndryshme ku ata kanë kryer grabitjet.
"Anëtarët e "bandës" me të piketuar vendin ku do grabisnin, ngarkoheshin në makinë edhe me batanije e tapete të vegjël, ku sapo hynin brenda ambienteve ku shkonin për të grabitur ndaheshin punët. Disa prej tyre shkonin për të kërkuar kasafortat dhe lekët nëpër ambiente të ndryshme të banesës dhe zyrës ndërsa dy të tjerët shtireshin sikur po pastronin tapete dhe kuverta.
Me të gjetur paratë apo sendet me vlerë, grabitësit i hidhnin sendet me vlerë dhe lekët në tapet dhe e mbështillnin atë duke u kthyer në makinën që parkohej pranë vendit të grabitur"-thanë burimet e prokurorisë. Natën e grabitjes së ambasadës Daneze policia i identifikoi të dyshuarit por nuk i arrestoi, duke i lënë të lirë për të vijuar hetimin dhe mbledhjen e provave.
Dyshohej se ishte kryer një grabitje e madhe dhe preferohej arrestimi i tyre në flagrancë. Paraditen e sotme, të shtatë të arrestuarit: Elton Lika, Sajmir Kuçi, Sulejman Bakalli, Taulant Mataj, Euklid Habili, Dritan Duka dhe Admir Burri, pritet të dalin para gjykatës për vlerësimin e arrestit e caktimin e masës së sigurisë.
Të arrestuarit dyshohen se kanë kryer veprat penale të "vjedhjes" me pasoja të rënda; "organizatës kriminale" si dhe "krijimin dhe kryerjen e veprave penale në kuadër organizatës kriminale apo grupit të strukturuar kriminal".
Gjatë kontrolleve të banesave të të arrestuarve, policia sekuestroi një kasafortë, dy automjete për transportin e sendeve të vjedhura, 2 lap- top, rreth 4 000 euro, disa aparate celularë, e mjete që shërbenin për hapjen e kasafortave.