E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohen 150 kg hashash Lazarati

OPERACIONI/ Një automjet është braktisur nga drejtuesi, pasi ka pësuar aksident gjatë ndjekjes së policisë


Nga ana e bluve u arrit të verifikohej se mjeti i përdorur për trafikun e drogës ishte vjedhur në Sarandë


GJIROKASTËR- Vijojnë operacionet antidrogë në Gjirokastër. Një tjetër sasi prej 150 kilogramësh marijuanë e destinuar për t'u trafikuar në Greqi është sekuestruar dje nga forcat e policisë, gjatë një ndjekjeje.


Në përpjekje për t'i shpëtuar policisë, automjeti i vjedhur me të cilin transportohej lënda narkotike është aksidentuar, ndërsa drejtuesi i saj ka mundur të largohet pa u vënë në pranga, megjithëse ai vetë mësohet të jetë identifikuar.


Mësohet se droga e llojit marijuanë ishte marrë në fshatin Lazarat dhe do të ndiqte itinerarin e njohur tashmë Lazarat- Sarandë- Greqi, ku do të trafikohej nëpërmjet kufirit detar.


Pas marrjes së informacioneve në rrugë operative për këtë rast të trafikimit të lëndëve narkotike, specialistët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, kanë organizuar operacionin e koduar "Piloti" dhe janë vënë në ndjekje të tij, duke filluar nga rruga nacionale Gjirokastër- Kakavijë pranë fshatit Lazarat.


Ndërsa e kanë ndjekur vetëm për pak minuta, në afërsi të fshatit Dervicjan, për shkak të shpejtësisë së madhe me të cilën udhëtonte dhe të trafikut të dendur, automjeti tip "Benz" me targa TP 1221 B, me të cilën transportohej marijuana, ka dalë nga rruga duke u përplasur me bordurën mbajtëse të autostradës, ndërsa drejtuesi i saj e ka braktisur menjëherë dhe është larguar me shpejtësi duke përfituar nga errësira.


"Në ndihmë të Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar kanë shkuar forca të shumta policie të cilët kanë bërë rrethimin e zonës dhe për shkak të errësirës zona mbahet e rrethuar deri në rënien e ditës, që të bëhet edhe krehja e saj për të kapur drejtuesin e mjetit", thuhet në komunikatën zyrtare për shtyp në lidhje me këtë ngjarje.


Ndërkaq në automjetin e aksidentuar, i cili ka rezultuar të ishte vjedhur 3 ditë më parë në qytetin e Sarandës dhe pronari i saj ka bërë edhe denoncimin përkatës, policia ka gjetur në sediljen e pasagjerit dhe në sediljen e pasme 55 pako me peshë 1 kilogramë secila dhe një çantë të madhe shpine e mbushur me marijuanë, e cila peshonte 26 kilogramë.


Po kështu edhe në bagazhin e automjetit janë gjetur 45 pako me peshë 1 kilogramë secila, si dhe një çantë shpine e madhe e mbushur me marijuanë të pa paketuar, me peshë 24 kilogramë. Në total, sasia e drogës së kapur ishte 150 kilogram. Ndërkaq, policia deklaron se është bërë i mundur tashmë identifikimi i transportuesit të lëndës narkotike dhe se po punohet për arrestimin e tij.


Gjatë 3 operacioneve të fundit, të realizuara brenda një jave, policia e Gjirokastrës ka sekuestruar rreth 800 kilogram marijuanë, ndërsa në harkun kohor të një muaji sasia e lëndës narkotike i kalon 1 tonë dhe në pranga janë vendosur 4 persona.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›