E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëshmitari: Pashë gruan në flakë, shpërthimi na hodhi 30 metra

Mustafa Laçi dhe i biri i tij treguan dje episodin e tyre ku u dogj bashkëshortja e tij Nafie Laçi që ndërroi jetë në Brindizi


Djali i mbijetuar nuk mundi të përmbajë lotët gjatë rrëfimit për të ëmën. Minxholli ngushëllon të mbijetuarit


TIRANË- Procesi penal ndaj 28 të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit vazhdoi dje me dëshmitë rrëqethëse të bashkëshortit dhe djalit të Nafie Laçit, një gruaje të vdekur nga shpërthimi i vitit të kaluar.


I pari që dëshmoi për llogari të akuzës, ishte Mustafa Laçi, bashkëshortja e të cilit ndërroi jetë në Brindizi të Italisë si pasojë e plagëve të marra ditën e 15 marsit 2008 në Gërdec.


Sipas dëshmisë së Laçit, ai, bashkëshortja e tij dhe i biri në atë kohë vetëm 14 vjeç, kanë punuar për një kohë të gjatë për kompaninë "Albademil" në punishten e demontimit të municioneve në Gërdec, deri ditën e shpërthimit. Po dje dëshmoi djali i tij, V.Laçi 17 vjeç, i cili nuk arriti të mbajë lotët kur përmendi se aty i ishte vrarë e ëma.


Të tre pjesëtarët e familjes Laçi mësohet se ishin punësuar në fabrikë nëpërmjet vëllait të Nafies, Shefki Seferit, i cili kishte njohje me Dritan Minxhollin. Seferi gjithashtu dje ishte dëshmitar në seancë për të dhënë deklarimet e tij, duke qenë se edhe ai vetë kishte punnuar në fabrikë.


Gjithashtu, ky i fundit i pranishëm në sallën e gjyqit, pas çdo deklarimi të dëshmitarit e pyeste, dhe hiqte përgjegjësinë nga vetja. Minxholli përsëriti deklaratën e një javë më parë, se në Gërdec, nuk kishte parë përfaqësues të shtetit t'i udhëzonin rregullat e sigurimit teknik në punë.


Dëshmia e Mustafa Laçit

"Jam nga Dibra dhe prej vitit 2000 jetoj në Kavajë. Në vitin 2007 kunati im Shefki Seferi më gjeti punë në fabrikën e Gërdecit mua, djalit dhe bashkëshortes ku paguheshim për çdo muaj me rreth 140 mijë lekë të reja për punën që bënim. Nuk kishim asnjë kontratë me drejtuesit e kompanisë dhe punonim pa sigurime. Vetëm tri ditët e para na instruktuan se si të punonim dhe kaq.


Aty nuk kishte fare kushtet sigurie. Punonim nga 8 deri në 9 orë në ditë bashkë me çunin dhe gruan. Në fabrikë kishte edhe gra e fëmijë të tjerë të cilët janë punësuar nga Dritan Minxholli. Gjatë punës time, kam parë që vinin njerëz të ndryshëm, por, të vetmin që njihja ka qenë Mihal Delijorgji. Ditën e ngjarjes, isha duke punuar me gruan dhe çunin në grupin tonë, duke ndarë predhat, nga gëzhoja, baruti e djegorja.


Këto i nxirrnim nga arkat e drurit që i hapnim me levë. Rreth orës 11:50 morëm urdhër t'i dërgonim thasët e mbushur me barut në magazinë brenda. Ata i transportonim me karroca hekuri që prisheshin shpesh. Kur po bartnim barutin që ishte sheshit, rreth 10 metra larg nesh nisi zjarri.


Djali iku me vrap, unë e mora gruan dhe u nisëm të dilnim. Në atë moment shpërtheu një zjarr që më dogji pas shpine dhe forca më hodhi tutje. U ngrita dhe nisa të vrapoj por pashë gruan që digjej. Kishte marrë flakë dhe po ikte me vrap. Pas pak u rrëzua, iu afrova ia hoqa rrobat dhe e mora në krahë duke ikur.


Ajo ishte djegur dhe unë nuk e njihja. Pas 200 metrash, ndodhi shpërthimi i madh dhe na hodhi 30 metra në ajër. U strehova te kontanierët që ishin aty afër. Aty e kam veshur gruan me rrobat e mia dhe pas dy ore kanë ardhur forcat e RENEA-së që na nxorën që aty. Gruaja u shtrua në spital dhe më pas e dërguan në Itali ku edhe vdiq. Unë u mjekova 30 ditë në Spitalin Ushtarak dhe jam bërë gjysmë njeriu".


V.Laçi
Kërkohej norma, nuk flitej për siguri


"Kam tre muaj që kam mbushur 17 vjeç, e kam kryer vetëm shkollën 8- vjeçare. Sapo mbarova shkollën, nëpërmjet dajës, Shefki Seferit, u punësova në Gërdec, ku punonin babi e mami.


Më punësoi Dritan Minxholli, pasi ishte shefi dhe njihej me dajën. Punova katër muaj te çmontimi i fishekëve, bashkë me shumë moshatarë të mi, ku me një makineri që kishin sjellë amerikanët, demontonim fishekë "Kallashnikovi".


Kishte incidente por të vogla dhe nuk binin në sy se duhej të bënim normën ditore për të cilën merrja një mijë lekë të reja në ditë. Pasi mbaruan fishekët, e lamë punën dhe fillova prapë për të nisur me predhat. Aty kishte incidente pasi ndonjërit i binte predha në këmbë dhe e dëmtonte.


Edhe në çmontimin e predhave punonin shumë moshatarë të mi, por më shumë ishin në kohën e demontimit të fishekëve. Si vegla pune kishim, levën, pincat, një kaçavidë dhe një thikë me majë. Predhat barteshin nga një eskavator dhe viheshin në rresht.


Aty makinat e ushtrisë............................. gjithë kohës municion. Ditën e ngjarjes, isha duke punuar me babin dhe mamin, kur pashë se afër grupit të Qemal Deliut filloi zjarri. Ika me vrap menjëherë, sepse gjithë andej në tokë kishte barut që ishte hedhur nga pakujdesia. Dola jashtë dhe nisa të ngjitesha në një kodër. Shpërthimi i parë më dogji në qafë dhe veshët.


Më pas ika pas kodrës ku hyra në një bunker për disa orë. Aty erdhi helikopteri prej të cilit na thanë të iknim më larg. Në këmbë kemi kaluar bashkë me disa të tjerë në një fshat të Durrësit, nga ku na transportuan në spitalin ushtarak për mjekim. Aty më është djegur nëna që ka ndërruar jetë në Brindizi të Italisë nga plagët e marra",-tha 17- vjeçari V.Laçi, ndërsa shpërtheu në lot.


Shefki Seferi
Çdo natë 70 kamionë me municion në fabrikë


"Kam punuar një kohë të gjatë në punishten e demontimit në Gërdec, pasi njihja Dritan Minxhollin që më punësoi.


Më vonë mora edhe motrën Nafije Laçin, bashkëshortin e saj Mustafain dhe djalin V.Laçi që ishte 14 vjeç. Në fabrikën, kur demontoheshin fishekë pati shumë fëmijë të cilëve iu tërhiqej vëmendja disa herë për kujdes. Në kohën e demontimit të predhave kishte më pak fëmijë. Në fabrikë ushtria sillte rreth 70 kamionë në natë, që shkarkoheshin në shesh.


Ditën demontoheshin nga punëtorët, ishin rreth 200. Unë punoja edhe në dy turne kur kishte shumë punë, pasi shoferët e kamionëve sapo i sillnin vetë largoheshin dhe i shkarkonin punëtorët. Ditën e ngjarjes, para së të fillonim të hanim bukë, nisi zjarri. U munduam të iknim sa më shpejt. Kushte sigurie nuk kishte, por vetëm disa bombola kundër zjarrit.


Aty kam parë Ylli Pinarin, Mihal Delijorgjin, Sokol Ngjeçin. Ky i fundit çmontonte herë pas here predha, e na kërkonte të ishim të kujdesshëm për demontim"-tha para gjykatës Shefki Seferi nga Vora.


Dritan Minxholli

"Ngushëllimet e mia për të gjitha familjet që kanë humbur njerëzit e tyre në Gërdec, ku unë isha drejtori teknik dhe të gjitha përgjegjësitë që më takojnë unë i mbaj. Sa i përket kushteve të sigurisë, aty nuk më ka ardhur asnjëherë ndonjë përfaqësues i institucioneve shtetërore për të diktuar apo thënë se çfarë rregullore duhet të zbatoja në atë fabrikë.


Jemi munduar me të gjitha kushtet dhe dijenitë që kishim për të krijuar kushtet të sigurisë në punë, por, ajo që ndodhi nuk ishte parashikuar asnjëherë",-u shpreh ndër të tjera Minxholli në fjalën e tij.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›