E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pushohet hetimi, Pango nuk kreu vepër penale

SKANDALI SEKSUAL


Prokuroria argumentoi mbylljen e hetimit me mungesën e provave, duke e cilësuar stimulim të emisionit invetigativ "Fiks Fare"


Hetuesit nuk siguruan dëshminë e vajzës që "futi" në kurth ish- ministrin e Kulturës që i kushtoi postin


TIRANË- Në 9 muaj hetim, Prokuroria e kryeqytetit konkludoi se ish- ministri i Kulturës, Ylli Pango, nuk ka kryer asnjë vepër penale gjatë bisedave dhe veprimeve të kryera në banesën e tij me gazetaren e emisionit "Fiks Fare", duke mos provuar skandalin seksual pavarësisht pamjeve filmike të ofruara.


Sipas vendimit të pushimit të hetimit, gazetarja e emisionit "Fiks Fare" dhe drejtuesit e këtij emisioni e kanë stimuluar ndaj ish-ministrit të Kulturës Ylli Pango, duke vepruar me paramendim, ndërsa vajza është cilësuar se nuk ka qenë kërkuese e zakonshme për punë.


Me këtë arsyetim drejtuesit e prokurorisë së kryeqytetit kanë argumentuar pushimin e hetimit ndaj Pangos që në fillim të marsit 2009 u shkarkua nga detyra menjëherë pas publikimit në media të një videoje ku ish-ministri kërkonte seks në këmbim të vendit të punës.


Pas publikimit, Prokurorja e Përgjithshme nisi hetimet për abuzim me detyrën por dosja mbeti e pluhurosur për disa muaj për shkak të imunitetit të tij si deputet. Me mbarimin e mandatit, kryeprokurorja Ina Rama delegoi dosjen në prokurorinë e kryeqytetit, e cila kreu një sërë veprimesh hetimore.


Nga hetimet disa mujore të organit të akuzës pretendohet se është provuar se drejtuesit e emisionit "Fiks Fare" duke shfrytëzuar gazetaren, kanë provokuar ish-deputetin Pango duke i kërkuar punë kundrejt joshjes.


"Pranë prokurorisë nuk ka pasur asnjë denoncim për ndonjë rast tjetër por vetëm ky i bërë publik në emisionin "Fiks Fare". Në asnjë rast tjetër nuk ka pasur denoncime nga qytetarë të ndryshëm për abuzimin me detyrën nga ish-ministri Pango.


Nga analizimi i pamjeve filmike dhe audio të marra bruto rezulton se gazetarja nën drejtimin e drejtuesve të saj e kanë provokuar dhe stimuluar një gjest të tillë që pasoi më pas nga ish-deputeti Pango.


Të gjitha veprimet e gazetares janë kryer me paramendim nga studio dhe nga terreni duke stimuluar rastin",-thuhet ndër të tjera në arsyetimin e prokurorisë së kryeqytetit.


Gjithashtu, këto burime konfirmuan se menjëherë pas ngjarjes së publikuar, hetuesit morën në pyetje protagonisten. Pas dëshmisë ajo është zhdukur pa adresë të saktë me qëllim thirrjen e saj si dëshmitare për të mbrojtur qëndrimin e dhënë në mars 2009.


Nga burimet e "Shekullit", mësohet se vajza që futi në kurth ish-deputetin Pango tashmë ndodhet në një qytet të Francës, ku ka aplikuar për azil politik për shkak të rrezikut që i kanoset pas publikimit të skandalit seksual të ish- ministrit.


Ndërkaq, sipas videos së publikuar më 4 mars 2009 nga televizioni "Top-Channel" nëpërmjet emisionit të saj investigativ "Fiks Fare" publikoi pamjet shokuese të ish-Ministrit të Kulturës dhe Turizmit, Ylli Pango që kërkonte favore seksuale nga një "punëkërkuese" për një vend pune pranë ministrisë që ai drejtonte.


Vetëm pak minuta pas publikimit të këtij skandali seksual, kryeministri Sali Berisha e shkarkoi nga detyra ish-ministrin Pango.


Pamjet filmike, tregojnë ish-ministrin Pango që rreket t'i tregojë vajzës që kërkon punë, rrugën që duhet të ndjekë për të filluar punë në institucionin që ai drejton. Vetë Pango e ka cilësuar këtë skandal seksual si një "montazh politik i qarqeve të caktuara të së majtës dhe një stimulim i tyre".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›