E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qytetarët e Vlorës, peng të Këshillit Bashkiak

VENDIMI/ Çështja e kryetarëve është çuar nga prefektura në gjykatë, e cila është shprehur dje


VLORË - Vendimet për qytetarët e Vlorës vazhdojnë të mbeten peng. Kjo për vetë konfliktin që ekziston në Këshillin Bashkiak të këtij qyteti, i cili që prej muajit shtator rezulton që të jetë me dy kryetarë, njëri prej të majtëve dhe njëri prej LSI-së, i mbështetur nga të djathtët.


Gjykata e Vlorës ka dhënë dje vendimin në lidhje me çështjen e drejtimit të këshillit bashkiak të Vlorës, procedura këto të çuara në gjyqësor nga ana e prefekturës së qarkut. Gjyqtari i çështjes, Erearbër Madhi, u shpreh se vetë prefektura ka atributet ligjore në lidhje me vendimmarrjen e përcaktimit të ligjshmërisë për zgjedhjen e kryetarit. Ai u ndal më pas në procedurat e ndjekura në këshillin bashkiak të 24 shtatorit, ku u bë edhe ndryshimi i kryetarit.


Për këtë të fundit drejtuesi i seancës tha se janë shkelur aktet administrative, të cilat parashikon kushtetuta për këtë, pavarësisht se është pretenduar zbatimi i rregullores së brendshme të këshillit. Personi i shkarkuar nuk është njoftuar më parë për këtë, si dhe nuk është shprehur qartë motivacioni i përdorur. Në lidhje me zgjedhjen e kryetarit Kujtim Sulçe dhe drejtimin e seancës nga ai, Madhi tha se janë shkelur procedurat ligjore.


Ai argumentoi se kur nuk është prezenca e kryetarit dhe nënkryetarit, mbledhja drejtohet nga këshilltari më i moshuar, procedura që fillimisht janë ndjekur në këshill, por pastaj mbledhja ka vijuar nën drejtimin e Sulçes, pozicionimi i të cilit nuk përshkruhet në rregulloren e brendshme të këshillit. Gjykata nuk ka njohur as vendimet e këshillit, vendime të cilat kishte ankimuar prefektura.


Menjëherë pas seancës ka reaguar për mediat Kujtim Sulçe. Ai tha se vendimet e drejtuesit të seancës ishin politike. Sipas tij, prefekti kishte njohur një nga vendimet e firmosura nga Sulçe, por jo të tjerat, çka reflekton gjykimin e tij mbi bazën e dy standardeve. Gjykimi i referohet mbledhjes së këshillit bashkiak të muajit shtator, mbledhje kjo që u braktis nga grupi i këshilltarëve të djathtë, si dhe nga kryetari Arben Sinani, që i përket forcës së LSI-së.


Braktisja dy herë radhazi e seancës nga ky i fundit ka bërë që shumica e mbetur nëpërmjet mocionit të mosbesimit të shkarkojë kryetarin duke e zëvendësuar me socialistin Kujtim Sulçe. Pranë prefekturës së qarkut, nga 9 projektvendimet e mbledhjes në fjalë, janë quajtur të ligjshme vetëm tre të parat, ndërsa nuk është njohur kryetari i zgjedhur Sulçe.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›