Vodhën kasafortën e drogës në farmaci, dy të arrestuar
TIRANË- Thyhet farmacia dhe vidhet kasaforta e parave në të cilën fshiheshin edhe ilaçet e kategorisë së opiode, po të njohura ndryshe si drogat klinike.
Pikërisht marrja dhe shitja e këtyre medikamenteve të kategorisë së drogave si morfinë, petidinë, amfetaminë, etj mendohet se ka qenë edhe qëllimi i vjedhjes së kasafortës së një farmacie në Paskuqan të shtunën në mbrëmje.
Policia ka mundur të arrestojë dy të dyshuarit kryesore të këtij krimi ndërsa është shpallur në kërkim edhe një person i tretë që ka mundur t'i shmanget policisë. Lajmi është bërë i ditur nga burime të policisë që pohuan arrestimin e Fatjon Qosjas, 23 vjeç dhe Dalip Hodo, 43 vjeç, të dy banues në Tiranë. Ata dyshohet se në bashkëpunim me njëri- tjetrin, kanë thyer dhe më pas vjedhur një farmaci e cila ndodhet në fshatin Babrru të komunës së Paskuqanit.
Dy personat kapen në flagrancë të dielën nga Patrulla e Përgjithshme, ndërsa burimet pohojnë se ata po mbaheshin në vëzhgim prej uniformave blu. Autorët arritën të hapin farmacinë nëpërmjet një çelësi për të marrë paratë që ndodheshin në kasafortën e saj që i përkisnin xhiros ditore.
Por dyshimet e policisë shkojnë më tej të cilët pohojnë se vjedhja është kryer me qëllim marrjen e ilaçeve të kategorisë së drogave që mbaheshin në kasafortën e farmacisë. Më pas ato mund të shiteshin me çmime të kripura tek përdoruesit e narkotikëve.
Vjedhja e farmacisë është konstatuar shpejt, duke bërë që edhe dy personat që kanë bashkëpunuar për të vjedhur sasinë e lekëve, të mos i shpëtojnë arrestimit të policisë. Njëri prej autorëve të dyshuar të vjedhjes, 43- vjeçari Dalip Hado, është person me precedentë të mëparshëm penale, i dënuar po për veprën penale të vjedhjes.
Pas arrestimit, dy autorët e dyshuar për vjedhjen e lekëve në arkën e farmacisë janë marrë në pyetje nga efektivat e Komisariatit nr. 5, para të cilëve kanë rrëfyer skemën e vjedhjes. Prokuroria e Tiranës do të vazhdojë më tej hetimet për këtë ngjarje, ndërsa Fatjon Qosja dhe Dalip Hodo, akuzohen për veprën penale të vjedhjes e kryer në bashkëpunim.