Berisha në Gjermani: Investoni në Shqipëri
Kryeministri Berisha tha dje gjatë një takimi me biznesin gjerman se Shqipëria ofron mundësi të mëdha ku mund të investohet. Sipas Berishës, një prej qëllimeve kryesore të kësaj qeverie është mbrojtja e investimeve të huaja. “Unë kam një karrierë të gjatë politike, por në këtë mandat të dytë i kam vënë vetes qëllim të bëj çdo gjë për politikën e tregut dhe mbi këtë bazë një pjesë të madhe të punës time e kaloj duke pritur përfaqësues të ndryshëm të biznesit nga e gjithë bota, të cilët i siguroj dhe dua t`i siguroj se qeveria i mbështet plotësisht për investimet e tyre në vendin tim”, u shpreh Kryeministri. Duke iu referuar pengesave për mungesën e investimeve të huaja deri katër vite më parë në Shqipëri, Kryeministri theksoi se dy mure të mëdha pengonin sipërmarrjet ndërkombëtare të interesoheshin për shfrytëzimin e potencialeve të mëdha në Shqipëri. Berisha tha se lufta kundër korrupsionit ka dhënë rezultatet e saj, duke veçuar nxjerrjen e administratës publike nga konflikti i interesit, uljen e shpenzimeve operative nga 3% në 2% të GDP-së etj.