Eurodeputetja: Tirana pa gjelbërim
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, së bashku me eurodeputeten e Partisë së Gjelbër Europiane, Gisele Kallenbah, prezantuan dje kandidatin për deputet të Partisë së Gjelbër shqiptare në Tiranë, Sazan Guri. Gjatë fjalës së saj, eurodeputetja Kallenbah shprehu shqetësimin e saj për mungesën e planifikimit urban për zhvillimin e Tiranës dhe të pjesëve të tjera të vendit. Kallenbah theksoi se lejet për ndërtim në Tiranë nuk janë dhënë në të mirë të këtij planifikimi. Ajo u shpreh se i kërkojmë Parlamentit të nxitë procesin që të ketë një planifikim urban kombëtar, dhe kjo është nevojë urgjente. “Tirana mua më duket kaotike, ka pak hapësira të gjelbra. Në Tiranë nuk ka lëvizje, sepse ka shumë makina. Gjithsesi ne kemi nevojë për një parti të gjelbër, për më tepër demokraci”, tha Kallenbah. Nga ana e tij, Ilir Meta duke mbështetur kandidatin ambientalist tha se, “kjo betejë për mbrojtjen e mjedisit është një betejë për evropianizimin dhe integrimin evropian të vendit”.